Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i ka ndarë dekoratën “Hero i Kosovës”, pas vdekjes, Emrush Et’hem Hazirit për sakrificë dhe trimëri për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Duke ua dorëzuar dekoratën familjarëve të Emrush Hazirit, presidenti Thaçi u shpreh se “është kënaqësi për mua që të kem mundësinë të ndaj këtë dekoratë për bacën Emrush” dhe kujtoi se “nuk bën të harrohet se sa e vështirë ka qenë të veprohet në kohën kur kanë vepruar Emrushi dhe të tjerët”.
Presidenti Thaçi shtoi se fuqia e vërtetë e Emrushit ka qenë aftësia e tij për t’i bërë bashkë të gjithë. “Pa marrë parasysh dallimet në mendimet politike që kishim, baca Emrush na e kujtonte që të gjithë kemi një qëllim”. Duke pranuar dekoratën, bashkëshortja Taibe Haziri u shpreh se “jemi krenarë për angazhimin e Emrushit”.