Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, sot, në një ceremoni të organizuar në Presidencë, ka dekretuar tri ligjet bazë që e ndryshojnë mandatin dhe misionin e FSK-së. Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, Ligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Në ceremoninë solemne të organizuar me rastin e nënshkrimit të ligjeve për Ushtrinë e Kosovës, ishte i pranishëm edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe kadetë të FSK-së. Këto tri projektligje janë miratuar me shumicë votash nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 14 dhjetor 2018, ndërsa sot me nënshkrimin e tyre nga Presidenti Thaçi, Kosova zyrtarisht u bë me ushtri.
Presidenti Hashim Thaçi si Komandant Suprem i Ushtrisë së Kosovës ka uruar ushtarët e Kosovës dhe aleatët ndërkombëtarë. „Ju uroj juve, i nderuar komandant, gjithë ushtarët, oficerët, nënoficerët dhe popullin e Kosovës. I falënderoj mbështetësit ndërkombëtarë, SHBA-të dhe të gjitha shtetet e tjera aleate në këtë ditë të rëndësishme të zyrtarizimit të Ushtrisë së Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ndërsa para mediave, presidenti Thaçi ka deklaruar:
”Me përgjegjësinë më të lartë shtetërore dhe me krenari, sot kam dekretuar ligjet që zyrtarizojnë krijimin e Ushtrisë së Kosovës. Dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe 20 vjet pas çlirimit, e bëmë ushtrinë tonë mbi të cilën përherë do të qëndrojnë nderi, siguria dhe mirëqenia e shtetit. Në dekadat e fundit kemi arritur ta përmbysim shekullin e shtypjes dhe ta projektojmë të ardhmen e sigurt të Kosovës evropiane. Por, e tërë kjo u bë e mundur vetëm falë sakrificës së shumë brezave, që ishin gjithmonë udhërrëfyes për ne. Të qëndrojmë të bashkuar përpara çdo sfide, siç ishim të bashkuar për Ushtrinë e Kosovës, që t’ua sigurojmë një perspektivë më të mirë brezave të rinj!’’