Deputeti i Parlamentit të Kosovës Murat Hoxha, diskuton problemet e shqiptarëve të Luginës05 Sep
Në territorin e komunës së Preshevës funksionojnë 8 shkolla fillore me 3347 nxënës, të ndarë në 204 paralele të cilët shumica vijojnë mësimet në gjuhën shqipe dhe një pjesë e vogël e tyre në gjuhën serbe.
Sipas të dhënave që ka siguruar Titulli.com nga shërbimi i arsimit pranë administratës komunale në Preshevë, në vitin shkollor 2005/2006 shkollat fillore të komunës së Preshevës numëronin 5971 nxënës, prej tyre 5585 shqiptarë, 386 serb, ndërsa në vitin 2015/2016 shkollimin fillorë e vijojnë 3347 nxënës prej tyre 3130 shqiptarë, 217 serb.
Në bazë të këtyre statistikave, në shkollat fillore të komunës së Preshevës nga viti 2005 deri në vitin 2016 është zvogëluar numri i nxënësve për 2624 nxënës.
Të njëjta të dhëna nga shërbimi i arsimit komunal flasin se në shkollat fillore, duke përfshi edhe entet parashkollore të komunës së Preshevës për vitin 2015/2106 ishin të angazhuar në procesin edukativo-arsimorë dhe jashtë procesit arsimorë 579 trë punësuar në këto institucione.
Fenomeni i zvogëlimit të numrit të nxënësve nëpër shkollat shqipe në Luginë të Preshevës
Enkel Rexhepi nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Preshevë thotë për Titulli.com se fenomeni i zvogëlimit të nxënësve në shkolla është shumë shqetësues.
“Një ndër faktorët më virusal është ai i migrimit të të rinjve nëpër vendet evropiane, çështja e teksteve në gjuhën shqipe shfaq një pasiguri në ardhmërinë e nxënësve dhe mungesa e perspektivës jetësore si rezultat i mungesës së zhvillimit ekonomik e diskrimiminit shtetërorë e të drejtave civile dhe kombëtare për familjet e nxënësve të shkaktuar drejtpërdrejtë nga diskriminimi shtetëror i qeverive të Serbisë ndaj Luginës”, është shprehur Rexhepi.
Mendim të ngjashëm ka edhe Fismir Jahiu, nga organizata “Iniciativat Qytetare” në Bujanoc i cili thekson largimi i rinisë bëhet për arsye socio- ekonomike, perspektiva e zymtë e qytetarëve dhe tendenca për largim të përhershëm.
“Fshatrat janë zbrazur, supozohet se rreth 40% e popullatës jeton jashtë shtetit. Tre kushërinjtë të afërt kanë migruar në pesëvjeçarin e fundit, ata kanë 7 fëmijë, 6 prej tyre tani duhej të ishin ulur në bankat e shkollore, sot ata nuk janë as në bankat shkollore e aq më pak në shtëpi, po diku larg vendlindjes si Rita e Xhaka”, ka deklaruar për Titulli.com Fismir Jahiu.
Komuna e Preshevës sipas regjistrimit të vitit 2011 ka 34.904 banorë, prej tyre 31.908 shqiptarë, 2984 serb. 322 romë e të tjerë dhe shtrihet në Jugë të Serbisë./Titulli.com/