Stinori pranveror në futboll do të fillojë të dielën në mënyrën më të mirë të mundur, pasi pritet të shënojë numër të madh të shikuesve.
Kjo është e sigurt sidomos në përballjen në Gjilan, pasi takohen dy rivalët e vjetër lokal Drita dhe Gjilani.
Drita vjen pas eliminimit në garën për Kupën e Kosovës, ndërsa kujtojmë se në sezonin 2017/18 ishte kampion i Kosovës dhe i Super Kupës. Kjo ka rëndësi për të kaltërit dhe tifozët e zëshëm ‘Intelektualët’, pasi kanë shumë pak kohë nga trofet e fituara dhe mund të jenë shtysë dhe besim në skuadrën e tyre.
Por, këtë vit Drita nuk është e njejta pasi ka ngecje në të gjitha garat dhe është prapa Gjilanit në renditjen tabelare.
Në anën tjetër të kuqtë e Gjilanit edhe pse pa trofe janë më komod dhe kanë treguar një pjekur gjatë stinorit vjeshtor, sikurse edhe në kampionatet e kaluara.
Ajo çfarë ndodhë në fushën e blertë ka pak rëndësi, kur është në pytje atmosfera dhe rivaliteti në tribina.
Të dy tifo grupet, ‘Intelektualët’ e Dritës dhe ‘Skifterat’ e Gjilanit kanë një motiv dhe dëshirë për koreografitë dhe atmosferën e së dielës në stadiumin e qytetit dhe këtë e kanë dëshmuar ndër vite.
Në kampionat Drita dhe Gjilani janë takuar 26 herë, secila skuadër ka nga 9 fitore dhe 8 ndeshje kanë përfunduar me barazim.
Aktualisht, Gjilani është në pozitën e katërt me 27 pikë, tri më shumë se Drita që është në pozitën e gjashtë me 23 pikë.