Këshilli për të Drejtat e Njeriut ka zhvilluar të enjten 8 shtator 2016, një tryezë lidhur me gjendjen dhe sfidat e sigurisë në Luginën e Preshevës, në të cilën morrën pjesë përfaqësues institucional, politik dhe shoqëror nga rajoni.
Me këtë rast pjesëmarrësit kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me vazhdimin e pranisë e njësive të jashtëzakonshme të ushtrisë dhe policisë edhe 15 vjet pas fillimit të procesit të paqes në Luginën e Preshevës, pas nënshkrimit të marrëveshjes për përfundimin e konfliktit të armatosur në këtë rajon. Të pranishmit kanë kritikuar mungesën e komunikimit dhe transparencës të strukturave shtetërore të sigurisë.
Duke e nënvizuar si pozitiv faktin se strukturat shtetërore të sigurisë nuk maltretojnë dhe keqtrajtojnë qytetarët me dhunë fizike, si në kohërat e mëparshme, pjesëmarrësist kanë ngritur pikëpyetje të shumta gjithashtu lidhur me mozbardhjen e vrasjeve dhe zhdukjeve misterioze që kanë ndodhur në këtë rajon, dukuri kjo që ka prirje të përsëritet me rasin e fundit të zhdukjes së një qytetari nga Tërnoci i Madh të komunës së Bujanocit, për të cilën organet e policisë dhe gjyqësisë nuk po japin hollësi dhe informata, transmeton Titulli.com.
Ndryshe nga përfaqësuesit e Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë që ishin të pranishëm në tryezën e KDNJ; përkundër ftesës për pjesëmarrje, përfaqësuesit e strukturave shtetërore të sigurisë, nuk janë paraqitur në tryezë për të biseduar me përfaqësuesit institucional, politik dhe shoqëror lokal.
Tryeza me temën: “Gjendja dhe sfidat e sigurisë në Luginë të Preshevës”, është realizuar në kuadër të projektit “Forcimi i stabilitetit në Luginën e Preshevës përmes integrimit të pakicës kombëtare shqiptare”, që financohet nga Ministria Federale e Punëve të Jashtme të Zvicrës.