Mehmetali Rexhepi, Hirësia e Motit (Mozaikë të një romani), botoi Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, Prishtinë, 2017, f. 235.
Periudha jo fort e gjatë e shkrimit të letërsisë së mirëfilltë shqipe ka bërë që epigonizmi të jetë një dukuri tejet e pranishme, madje edhe në kohët e sotme. Kemi shumë letërsi që është e njëjtë apo shumë e ngjashme me modele të caktuara të arrira letrare. Letërsia jonë bie erë të një numri të vogël autorësh. Këtë situatë, ndonëse në zenitin kulturor shqiptar të viteve 30 të shekullit XX – kundruar në aspektin kohor, e kishte identifikuar studiuesi dhe shkrimtari Lazër Shantoja, i cili thërriste që “të mos i ofrojmë lexuesit klishe të lame e të stërlame, por fytyra të reja e origjinale”.
Shkruan: Prof. Dr. Hysen Matoshi
Letërsia jonë, pra, ende vuan nga njëjtësia – uniformiteti, ndjekja e modeleve dominuese letrare. Shfaqja e ndonjë vepre letrare, që del jashtë vargonjve të klisheve ekzistuese, është ngjarje e njëmendtë kulturore ndër ne.
Mehmetali Rexhepi tashmë, qoftë si studiues, qoftë si publicist, eseist a krijues letërsie, ka dëshmuar parimësi, zotësi dhe kreativitet që të formësojë shprehjen e tij, e cila e identifikon atë si vetje në fushën e shkrimtarisë sonë. Ndonëse ka shkruar disa vepra letrare, poezi, prozë, eseistikë, kritikë letrare, publicistikë etj.; para ca vitesh kam pasur kënaqësinë të shprehem, për herën e parë, lidhur me veprën e tij “Enigma e magjikes”, e cila përbaskon në një simbiozë funksionale shkrimore aftësinë imagjinative dhe mendimtare të autorit. Letërsia si art dhe gjykimi për letërsinë si dije ndërveprojnë natyrshëm, pavarësisht se cili nga komponentët zë vend parësor në interesimet e Mehmetali Rexhepit. Sot po flasim për veprën e tij në prozë “Hirësia e Motit” që, në përputhje me poetikën përtejzhanrore të autorit, shoqërohet nga titulli shpjegues “Mozaikë të një romani”. Kritika letrare jo rrallë fokusohet veçmas në definimin zhanror të një vepre.
Ndokush edhe mund ta shtrojë çështjen e përcaktimit zhanror të kësaj vepre të Mehmetali Rexhepit, pra mund ta shtrojë në trajtën e dilemës se sa këto copëza mozaikësh, të sjellë sa nga konteksti jetësor – shoqëror i autorit, po aq sa edhe nga konteksti i formimit të tij artistik e dituror, ia dalin ta krijojnë një tablo unike romanore. Kam bindjen se autori qëllimshëm nuk i ka vënë etiketë zhanrore produktit të tij letrar, ngase duke e lënë të hapur këtë çështje, ai ka zgjuar kërshërinë perceptuese të lexuesit, veçmas të kritikës sonë letrare, në këtë pikëpamje. Pra, nuk do ta quaja mungesë guximi të autorit për ta emërtuar “Hirësinë e Motit” në aspektin zhanror, ngase më parë kemi të bëjmë me një grishje që vepra të lexohet, të përjetohet e të vlerësohet nga më shumë këndvështrime dhe perceptime zhanrore, qoftë si përmbledhje tregimesh, qoftë si skicë e një romani të madh, apo edhe si roman. Argumente ka për secilin nga këto definime, por ne nuk do t’i kushtojmë vëmendje më të madhe këtij aspekti, duke mëtuar të fokusohemi më tepër tek elementet e mjeshtërisë letrare.
Në kundërshtim me poetikën tradicionale të romanit dhe të veprave tregimtare përgjithësisht, në të cilat mbizotëron fabula, “Hirësia e Motit” ndërtohet mbi pjesë të shkëputura fabulative, të cilat si ndërlidhje e kanë autorin. Rrjedhimisht në të del në plan të parë përjetimi autorial, në vend të rrëfimit, me çka si vepër merr karakter të theksuar të ndërgjinorisë letrare. Aspektet lirike janë të pranishme gjithandej – një eksplorim ndjenjash që dalin në pah si reminishenca të përvojave jetësore e të formimit intelektual dhe artistik të autorit. Këtë koncept autori e ka qartësuar më së miri në definimin e menysë së letrës: “shkronja që ndërtojnë rrokje, rrokje që lidhin fjalë, fjalë që ngrehin gjymtyrë, togfjalësha që përmbarojnë kumte të thjeshta, të zgjeruara, të ngjyera në erëza ndjenjash për t’i fituar pigmentet e munguara.”
Botëpërjetimi i tij u bën vend ideve më parë se sa personazheve, të cilat edhe kur shfaqen, qoftë në dimensionin real – historik, qoftë në dimensionin e riemërtuar – pra sinonimik apo edhe simbolik e fiksional, janë bartës të ideve. Rexhep Mala personifikon idenë e qëndresës, e pathyeshmërisë përballë dhunës, ai shfaqet në trajtën gjuhësore, saktësisht semantike të Epit dhe gjithsesi edhe në përmasën e karakterit të heroit epik. Variacionet rebusiale të emrit të tij konsistojnë në një ide të vetme – idenë e qëndresës dhe të kalitjes përballë dhimbjes, e cila, ndonëse e përgjakë, nuk e përlot dot sinonimin e ilegales shqiptare.
Autobiografia letrare e autorit ndërtohet mbi dy përvoja gjurmëlënëse në jetën e tij: përvojën e veprimit dhe përvojën e leximit. Pa këto dy burime nuk do ta kishim sot në dorë veprën “Hirësia e Motit”. Dikush ka thënë se nëse duam ta njohim më mirë një shkrimtar, së pari do të duhej të kishim më tepër informacione përkitazi me atë se çfarë ka përjetuar, në ç’rrethana shoqërore ka jetuar e ka vepruar, cili ishte statusi i tij shoqëror, cilët ishin faktorët ndikues në jetën e tij, etj., gjithnjë duke vlerësuar rolin e tyre në formimin e personalitet të përgjithshëm të autorit; dhe së dyti, cilët ishin autorët e tij të dashur, që i kishte lexuar me ëndje gjatë gjithë jetës e, të cilët doemos do të kenë lënë gjurmë edhe në opusin e tij letrar.
Them pa pikë dyshimi se këta dy faktorë shpërfaqen edhe në veprën letrare “Hirësia e Motit”, duke na ofruar një variant interesant autobiografik të Mehmetali Rexhepit. Galeria e veprimtarëve të brezit të tij, përveç të tjerëve, ka emra të identifikueshëm dëshmorësh si Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Agron Rrahmani, Idriz Velekinca, etj., emrat e të cilëve ndonjëherë edhe janë modifikuar, si për ta theksuar letraritetin e karaktereve, ashtu edhe për ta vënë në pah idenë e tyre çlirimtare.
Referencat që lidhen me autorë të letërsisë shfaqen si një zgjedhje e qëmtuar në këtë vepër. Pa dyshim Lasgushi disi del më frymëzues dhe model orientues për autorin, por aty janë edhe autorë të tjerë të letërsisë sonë sikundër Serembe, Rexhep Elmazi, Beqir Musliu, Mirko Gashi, Azem Shkreli, Teki Dervishi, Frederik Reshpja, Ali Podrimja, etj., pa lënë anash edhe autorë e personalitete të shquara botërore, si Aleksandri i Madh, Xhek Londoni, Samuel Beketi, Horhe Luis Borhesi, Mocarti, Galileo Galileu, Aleksandër Stipçeviqi, etj.
Nëse identifikimi përmbajtjesor e ideor i veprës së Mehmetali Rexhepit mund të përvijohet nëpërmjet këtyre dy shtresimeve të konteksteve, si komunikim me bashkëkohësinë dhe me tejkohësinë, origjinaliteti i saj ndërlidhet me përbërës gjuhësorë e letrarë vetjakë. Fjalësi është një shenjë e qartë e identitetit shkrimor të Mehmetali Rexhepit, në rend të parë si zgjedhje, ku përfshihet fondi i leksikut që ka një frekuentim më të paktë në veprat tona letrare, duke përfshirë edhe funksionalizimin e lokalizmave. Të këtilla, ta zëmë, do të ishin fjalët: zhguall, shylibyl, hazëroj, përtrollit, lëbyrje, zgot, peshkve, tambëlcak etj., të cilave autori u jep dimension semantik në veprën e tij. Natyrisht, nuancimi i fjalëve me qëllim të ridimensionit semantik dhe të ambiguitetit, është procedim që lejon mundësinë e leximit të shumëfishtë. Ndonjëherë forma gjuhësore pëson metamorfozë me qëllim të përshtatjes me domethënien e saj. Shembull tipik është toponimi Dubravë, i njohur për burgun famëkeq të Dubravës, që këtu ka ardhur në trajtën Burgu Tubëvrasës. Ndonëse në dukje të parë mund të identifikohet si lojë fjalësh, çifti i fjalëve shkrimi – krimi, në variantin grafik lejon leximin e dyfishtë duke e kthyer nuancën grafike në diferencë të qartë semantike. Për ilustrim po sjellim një fjali që mund të lexohet në katër variante kuptimore e logjike:
-Ku është ai shkrim i shkrimit të fatit tim?
-Ku është ai shkrim i krimit të fatit tim?
-Ku është ai krim i shkrimit të fatit tim?
-Ku është ai krim i krimit të fatit tim?
Fundja polisemantika është ndër veçantitë e komunikimit letrar, ndërsa modele të këtilla lexuesi do të gjejë gjithandej kësaj vepre.
Në planin stilistik vërejmë një përdorim të theksuar të aliteracionit. Ligjërimi i aliteracionuar është një veçanti e përgjithshme e shkrimeve të Mehmetali Rexhepit, natyrisht jo si një gjetje për efekte thjesht fonetike. Ngase përtej saj në rend të parë është domethënia e gjetjeve të këtilla: ferrishta e ferrit, partia e pehlivanëve, bualli i bërrakës, verdhësi vjeshte, floçka me flokë, shtangie shtarë, etj. Po në këtë kontekst ligjërimor një mjeshtëri letrare e autorit shpërfaqet edhe sa i përket figurës së inversionit, dhe figura të tjera stilistike të diksionit e të mendimit.
Aspekt interesant paraqet edhe denduria e mendimit e shpërfaqur në trajtë aforizmash, si transmetuese të përvojës diturore, përsiatjes së thellë të autorit dhe të strukturimit karakteristik, jo rrallë të mbarsura edhe me premisa të ironisë, si në shembujt vijues: “Kozmetika hijeshisë ia jep një mandat, porse mandati i asaj bukurie zgjat deri te larja e parë e fytyrës”; “Pa të fërguar jeta nuk të vjen era njeri”; “Shtrëngata thyen, por edhe thyhet në qëndresë”; “Ndërdyja është hapësirë ku tretet arsyeja”; “Po nuk e kape prushin me dorë, prite djegien” etj.
Sprova romanore “Hirësia e Motit” përbën njërën ndër shenjat më përfaqësuese të identitetit letrar të Mehmetali Rexhepit si autor me veçanti të theksuara kreative. Fjala është për një vepër që shquhet për polifoninë letrare. Në të natyrshëm bashkëjetojnë fakti historik dhe fiksioni letrar, erudicioni dhe imagjinata, narracioni dhe ndjenja, epika dhe lirika, qartësia dhe alegoria, autori dhe konteksti, fryma unike dhe lloj-llojshmëria strukturore. Kjo vepër, e cila mund të lexohet edhe si pjesë, por edhe si tërësi, me veçantitë e saj strukturore, narrative, gjuhësore dhe stilistike, me guximin e autorit për të eksploruar deri në kufijtë e skajshëm të letërsisë si art, vjen në letrat shqipe si një simbiozë e rrallë e mendimit dhe e imagjinatës.