Policia e Kosovës vazhdon aktivitete në zbatim të planit operativ për një siguri më të madhe edhe në transportin publik të udhëtarëve.
Policia e Kosovës, konkretisht Njësia për Kontroll të Autostradave në bashkëpunim me njësitë tjera të Divizionit të Komunikacionit Rrugor në kuadër të ngritjes së aktiviteteve të tyre në krijimin e kushteve të sigurta për pjesëmarrësit në trafik si dhe parandalimin e aksidenteve, nga data 05.08.2021 ka filluar me zbatimin e Planit Operativ “Kontrollimi i shtuar i transportit publik të udhëtarëve”.
Në kuadër të këtij plani operativ është rritur numri i pikave të kontrollit dhe si rezultat i kësaj është rritur edhe numri i ndalimeve dhe kontrollimeve të mjeteve të transportit publik të udhëtareve.
Policia e Kosovës gjatë kontrollit të këtyre mjeteve të transportit publik të udhëtareve ka hasur në kundërvajtje të ndryshme, ku në periudhën kohore nga data 05.08.2021 deri 26.08.2021 ka shqiptuar treqindedhjetë (310) fletëparaqitje për kundërvajtje.
Gjatë pikave të kontrollit janë ndaluar mjete të transportit të mallrave dhe udhëtarëve, posaçërisht mjetet e transportit publik të udhëtareve – transporti me autobus.