Në fillim të tetorit në Përlepnicë të Gjilanit ishte raportuar se zjarri kishte kapluar plantacionin “Dredhëza-K” me një sipërfaqe prej rreth dy hektarëve, e tani sipas policisë, hetimet e bëra kanë rezultuar me një të dyshuar, i cili pas intervistimit me vendim të Prokurorit të Shtetit është liruar në procedurë të rregullt.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka rikujtuar edhe njëherë rastin kur në fillim të tetorit ankuesi, kishte raportuar se në rrethana të panjohura, nga persona të panjohur iu është vënë zjarri (djegur) plantacioni ,,Dredhëza-K” me një sipërfaqe prej rreth dy hektarëve, ku dëmi i shkaktuar, sipas ankuesit ishte i konsiderueshëm.
Sipas Hashanit, lidhur me rastin, njësiti i hetimeve ka intervistuar disa dëshmitarë lidhur me shkaktarin e zjarrit në fshati Përlepnicë. Pas hetimeve përmes rrugëve operative dhe provave të tjera është arrit deri tek dyshimi se si shkaktar i zjarrit ka qenë faktori njeri.
“Pasi është identifikuar i dyshuari i mundshëm, i njëjti është ftuar në intervistë me 28 nëntor 2017, ku është ballafaquar me provat dhe dyshimet se në ditën kritike ka ndezur zjarrin në arën e tij dhe dyshohet që pastaj zjarri i ka dal nga kontrolli dhe si pasojë është dëmtuar (djegur) plantacioni i mbjellë me fidanë dredhëze, pronë e ankuesit të rastit”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Ai ka thënë se pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. “Vlen të cekët se pas hetimeve të zhvilluara me urdhër të Prokurorit rasti riklasifikohet nga “Zjarrvënie’’ në “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.