Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, me angazhime të shtuara është duke vazhduar zbatimin dhe implementimin e masave kundër Covid-19.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se në kuadër të zbatimit dhe implementimit të masave kundër Covid-19, zyrtarët policorë të Drejtorisë Rajonale në Gjilan në të gjitha nivelet, janë të angazhuar në monitorimin e personave të cilët nuk po e zbatojnë masën e vetëzolimit, por edhe veprime dhe kontrolle të shtuara në lokale hoteliere, sheshe, qendra tregtare etj.
“Ditëve të fundit është vërejtur një rritje e personave të cilët nuk e po e respektojnë masën e vetizolimit, andaj me qëllim të mbrojtjes dhe mospërhapjes së pandemisë, në kuadër të angazhimeve policore, bazuar në planin e veprimit operativ po ndërmerren masa duke përfshirë, vizita dhe kontrolle verifikuese në lokacione të personave në vetizolim”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Sipas tij, kontrollet realizohen nga zyrtar policorë, me qëllim të verifikimit që masat e shqiptuara për persona në vetizolim të jenë në përputhje me afatin e përcaktuar kohorë nga Institucionet e shëndetësisë, si masë parandaluese.
“Policia e Kosovës me këtë rast apelon te te gjithë qytetarët që ti respektojnë vendimet e Qeverisë dhe të Institucioneve shëndetësore. Qëllimi i vetëm i PK-së është ta mbrojmë shëndetin publik”, ka thënë Hashani. /2LONLINE.com/