“Policia e Kosovës në vazhdimësi apelon që në asnjë mënyrë mos të lihen çantat e dorës apo sende tjera me vlerë në ulëset e veturave në vende të dukshme, sepse shpesh janë cak i personave keqbërës dhe ka ndodhur që janë kryer një numër “vjedhjesh të rënda” duke u thyer xhamat e veturave”.
Kështu u shpreh Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan, i cili ka bërë me dije edhe për rastin më të freskët, të një vjedhjeje të natyrës së tillë, të regjistruar në statistikat policore, transmeton 2LONLINE.
“Në Viti, ankuesja ka raportuar se deri sa ka qëndruar ne Qendrën tregtare “ Mediteran”, persona të panjohur ia kanë thyer xhamin e veturës e cila ka qenë e parkuar në parking të kësaj qendre dhe nga vetura ia kanë vjedhur një çantë krahu, në të cilën kishte pasur 268 franga dhe 10euro”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Rasti është proceduar në njësinë e hetimeve të stacionit policor në Viti, për hetime të mëtutjeshme.