Policia e Kosovës, lidhur me manifestimet tradicionale të festës së ‘Vidovdan-it’, me kohë kishte përgatitur planin operativ për menaxhimin e situatës së sigurisë, para, gjatë dhe pas manifestimit.
Me qëllim që ky manifestim të kalojë qetë dhe pa incidente, ishin paraparë disa objektiva strategjike si:
• Parapërgatitja dhe ndërmarrja e masave të nevojshme planifikuese, koordinuese, preventive dhe operative në mënyrë që manifestimi të zhvillohet në suaza normale, të rendit dhe qetësisë publike.
• Garantimi i lirisë së lëvizjes dhe pjesëmarrjes në tubim/manifestim për të gjithë qytetarët e interesuar,
• Shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas manifestimit të ‘Vidovdanit’,
• Kontrollimi dhe menaxhimi i rrjedhës së trafikut në të gjitha rrugët magjistrale, rajonale dhe ato lokale,
• Përcjellja dhe sigurimi i eskortave dhe grupeve të veçanta,
• Zbatimi i kompetencave dhe autorizimeve ligjore, përballë situatave të ndryshme dhe marrja e masave ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, konform ligjeve të Republikës së Kosovës.
Policia e Kosovës, përveç ndërmarrjes së masave dhe planifikimeve operacionale, kishte përgatitur një fletushkë informuese për qytetarët (në gjuhën shqipe dhe serbe), për t’i informuar mbi të drejtat dhe interesat e qytetarëve përgjatë manifestimit, mbi masat, procedurat ligjore dhe angazhimet policore, si dhe për zbatimin e masave dhe rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHP-së në këtë kohë pandemie.
Policia e Kosovës në bazë të të dhënave nga terreni ka regjistruar rreth 2000 pjesëmarrës, të cilët në mënyrë të organizuar kanë marrë pjesë në Graçanicë dhe Gazimestan të rajonit të Prishtinës, me rastin e festës me karakter religjioz të quajtur ‘Vidovdani’.
Njësitet policore janë përkujdesur për mbarëvajtjen e manifestimit në Graçanicë i cili kishte filluar në orët e paradites, për të vazhduar pastaj në Gazimestan të Prishtinës.
Rreth orës 13:00, manifestimi ka vazhduar tek monumenti i Gazimestanit, ku njësitet policore janë përkujdesur për mbarëvajtjen e manifestimit si dhe rregullimin-orientimin e komunikacionit rrugor edhe për pjesëmarrësit e tjerë në trafik të cilët nuk kanë qenë pjesë e këtij manifestimi.
Policia e Kosovës gjatë manifestimeve ka ndaluar dhe shoqëruar në stacion policor një (1) person të dyshuar mbi dyshimin për vepër penale “nxitja e përçarjes dhe mos durimit”, i cili është në procedurë të intervistimit, përderisa të gjitha veprimet lidhur me personin në fjalë do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me prokurorin e rastit.
Gjatë manifestimit zyrtarët policorë kanë vërejtur disa pjesëmarrës të cilët kanë pasur të veshur fanella me mbishkrime provokuese, andaj me qëllim të shmangies së ndonjë keqkuptimi apo incidenti të mundshëm, fanellat e tilla të ekspozuara në automjete dhe të veshura iu janë larguar.
Po ashtu zyrtarët policorë të cilët kanë qenë të caktuar në lokacione të ndryshme, përfshirë pikat e kontrollit, gjatë kontrollit dhe verifikimit të tyre kanë gjetur dhe sekuestruar disa mjete të ndryshme të mprehta thika dhe një boks hekuri.
Lidhur me këtë, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorët kompetentë ka hapur rastet për ’Armëmbajtje pa leje’ dhe ‘Prishje e rendit dhe qetësisë publike’.
Manifestimi ka përfunduar pa incidente madhore dhe pjesëmarrësit janë shpërndarë në formën siç edhe kishin ardhur.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore, zbatimin e Kushtetutës së RKS-së në funksion të garantimit të një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë.. /2LONLINE.com/