Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar – Njësia për Hetimin e Auto-krimeve, në bashkëpunim të plotë me Doganat e Kosovës dhe njësitë tjera policore, ka ndërmarrë një operacion të gjerë policor të quajtur “TARGAT”.
Operacioni policor është shtrirë në tërë territorin e Kosovës dhe ka pas qëllim identifikimin e veturave të pa regjistruara, të cilat janë importuar nga shtetet evropiane e të cilat në vendin e origjinës ishin të ç’lajmëruara, ndërkaq në vendin tonë kishin paguar vetëm sigurim të përkohshëm.
Operacioni policor i zhvilluar nga data 15.10.2018 deri më datë 12.11.2018, ka rezultuar me kontrollimin e një numri të madh të veturave, në mesin e të cilave janë sekuestruar 131 vetura të cilat janë dërguar në Doganat e Kosovës për vazhdim të procedurave doganore. Po ashtu janë konfiskuar edhe 2 vetura që dyshohet se janë të vjedhura.
Policia e Kosovës do të vazhdojë me aktivitete edhe në të ardhmen në mënyrë që veprimet e tilla antiligjore të minimizohen, rrugët tona të jenë më të sigurta dhe të mos dëmtohet buxheti i vendit.