Policia e Kosovës, me datën 21.08.2024, pas pranimit të informacioneve për dy raste të ndryshme me narkotikë, si rezultat i ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe operative në terren, ka arrestuar dy persona të dyshuar si dhe ka sekuestruar substanca narkotike të llojit heroinë dhe kokainë.
Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, në bashkëpunim me institucione vendore të sigurisë, me datën 21.08.2024, pas një pune intensive-hetimore në terren, ka ndërmarrë hapa operativë, me ç’rast ka identifikuar një person shtetas të Maqedonisë Veriore, i cili dyshohej se kishte në posedim të gatshëm për shitje një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit heroinë.
Të dyshuarit të lartcekur me veturë substancën e dyshuar narkotike ia kanë sjellë dy persona tjerë, të cilët janë larguar me veturë nga vendi i ngjarjes.
Pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës tek personi i dyshuar janë gjetur 6 (gjashtë) paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë të përgjithshme prej 6.137.6 gramë (6 kilogramë e 137 gramë), ku vlera e substancës së dyshuar narkotike e cila është konfiskuar vlerësohet të jetë rreth 150.000 euro (njëqind e pesëdhjetë mijë euro).
Lidhur me rastin në cilësi të provave materiale janë sekuestruar edhe këto dëshmi tjera materiale:
• 2 telefon celularë,
• një veturë,
• 4305 denarë të Maqedonisë Veriore.
Të gjitha veprimet e ndërmarra dhe dëshmitë e gjetura të sekuestruara janë kryer me autorizimin e prokurorit kujdestar.
Personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të shtetit i dyshuari ndalohet për 48 orë, kurse dy personat e tjerë janë në kërkim policor.
Rasti i dytë:
Me datën 21.08.2024, pas pranimit të disa informacioneve Policia e Kosovës në Ferizaj ka ndaluar për kontroll veturën me targa të huaja, ku gjatë kontrollit të veturës është gjetur një pako e cigareve, në brendi të së cilës ka qenë një qese najloni me substancë të dyshuar si e llojit kokainë. Nën dyshimet se mund të gjendet edhe ndonjë sasi tjetër e narkotikëve është kontrolluar një shtëpi banimi në Ferizaj, ku jeton i dyshuari, mirëpo nuk është gjetur asgjë e dyshuar.
Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar:
• një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë të përgjithshme 38.62 gramë, vlera e substancës së dyshuar narkotike vlerësohet të jetë rreth 3500 euro.
• para në monedhë letre 50 euro dhe 1500 kruna suedeze.
Lidhur me rastin, për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori kompetent, me urdhër të të cilit i dyshuari pas intervistimit ndalohet për 48 orë. /2LONLINE/