Me datë 05.06.2022 rreth orës 13:40 Policia e Kosovës ka ndaluar një automjet/minibus me drejtues mashkull kosovar në automjetin e të cilit ndodheshin gjithësej 18 (tetëmbëdhjetë) pasagjerë, ku pas legjitimimit të tyre është vërtetuar se të njëjtit janë shtetas të huaj.
Policia e Kosovës, konkretisht Njësia e Trafikut Rajonal- Prishtinë gjatë zbatimit të detyrave të rregullta për identifikimin e kundërvajtësve dhe parregullësive të tjera në trafikun rrugor, ka ndaluar për kontroll rutinore një automjet – minibus i tipit Mercedes, me targa vendore, ku gjatë kontrollimit të tij janë identifikuar 18 (tetëmbëdhjetë) persona, ku prej tyre 11 (njëmbëdhjetë) shtetas nga Siria, 6 (gjashtë) shtetas nga Egjipti dhe 1 (një) nga Iraku. Të njëjtit kanë potencuar se në mënyrë të organizuar dhe të udhëhequr nga disa persona, përmes rrugëve ilegale nga Turqia, dhe shtete të tjera, përfshirë edhe Kosovën, kishin për qëllim shkuarjen në drejtim të vendeve të BE-së.
Lidhur me rastin janë angazhuar zyrtarë policorë nga Sektori i Hetimeve në kuadër të Departamentit për Kufi të cilët janë marrë me procedurat e nevojshme për trajtimin e këtij rasti.
Me urdhër të prokurorit kujdestar i dyshuari mashkull kosovar (ngasësi i automjetit) është arrestuar dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë. Ndërsa shtetasit e huaj pas intervistimit nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj në Prishtinë janë dërguar në qendër të azilit. /2LONLINE/