Policia Kufitare e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, më 09.06.2022 rreth orës 09:45, gjatë kryerjes së detyrave për kontrollim kufitar në Pikën e Kalimit Kufitar-Jarinje, gjatë kontrollit të një veture me targa të Serbisë, me drejtues mashkull/kosovar, të njëjtën e ka dërguar në ‘vijën e dytë’ për kontroll më të detajuar.
Gjatë kontrollimit në bagazhin e automjetit janë gjetur: katër pako të mëdha me gjithsej 4000 copë municion të llojeve të ndryshme të fshehura tek vendi i gomës rezervë të automjetit. Policia ka arrestuar personin e dyshuar, ndërsa me autorizim të prokurorit përkatës, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’.
Rastin, më pas kanë filluar ta trajtojnë hetuesit nga Drejtoria Kundër Terrorizmit. Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe është kërkuar leje për kontroll të hapësirave private të banimit nga gjyqtari i procedurës paraprake, gjë që edhe është arritur.
Policia ka kryer kontroll edhe në shtëpinë e të dyshuarit ku është gjetur dhe sekuestruar një armë e gjatë AK-47 me tre karikatorë të zbrazët.
I dyshuari është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit në prezencën e avokatit mbrojtës dhe përkthyesit ligjor dhe me aktvendim nga organet e drejtësisë dërgohet në mbajtje deri në 48 orë. /2LONLINE/