Shumica e studiuesve pajtohen që letërsia shqipe është intencionale – qëllimore. Rilindësit veprat letrare i kanë shkruar për ta zgjuar vetëdijen kombëtare, për ta kultivuar atdhedashurinë, për ta formësuar identitetin kombëtar shqiptar dhe për t`i frymëzuar e trimëruar shqiptarët që të luftojnë e ta fitojnë lirinë.
Shkruan: Sinan SADIKU
Pra ata ishin intelektualë atdhetarë të cilët penën e kishin vënë në shërbim të atdheut, ishin njerëz që besonin se përmes librit, shkollës, arsimimit kombëtar, kombin e tyre do ta nxirrnin nga robëria dhe nga prapambeturia shekullore.
Andaj mund të themi se ata shumë më shumë kohë dhe mund i kanë kushtuar misionit se krijimtarisë artistike letrare, kanë sakrifikuar shumë si krijues, sepse ashtu e kërkonte koha.
Faik Konica, një atdhetar i flakët, jashtëzakonisht i mençur, shumë i dijshëm, themelues i kritikës letrare shqipe, ka kërkuar që të diferencohen veprimtaria atdhetare prej krijimtarisë artistike. Dikush mund të ketë kontribuuar shumë sa i përket atdheut, kombit po ky fakt vetvetiu nuk e bënë edhe shkrimtar apo poet të mirë.
Një pjesë e mirë e krijuesve letrarë as në kohën e sotme nuk mund ta bëjnë diferencimin midis krijimtarisë letrare dhe veprimtarisë atdhetare dhe as midis krijimtarisë letrare dhe didaktikës.
Rilindësit kanë qenë veprimtarë kombëtarë, iluministë dhe shkrimtarë të talentuar të cilët nuk kanë pasur kohë dhe kushte për t`iu kushtuar me tërë qenien krijimtarisë artistike, por që herë pas herë kanë shkëlqyer si krijues duke na lënë edhe vepra të mrekullueshme.
Shija estetike e lexuesit në atë kohë, kur shumica njerëzve nuk dinin shkrim-lexim, nuk ka qenë dhe nuk ka mundur të ishte në nivel. Tani do të duhej të ishte ndryshe.
Megjithatë duket që shkolla jonë, madje as universiteti, nuk ka arrit t`i shpjegojë si duhet gjërat, në mënyrë që të kultivohet dhe ngritet shija estetike e lexuesve e besa edhe e krijuesve letrarë.
Disa gjëra kanë shkuar kah stërkeqja, kah degjenerimi. Një pjesë e mirë e krijuesve letrarë, dorën në zemër e atyre të dobët, që janë shumicë absolute, përmes krijimtarisë letrare dhe veçmas duke e shkruar poezinë nuk mendojnë që të bëhen poetë por që të tregohen patriotë (t`i kompensojnë deficitet patriotike) ose të tregohen të dijshëm të mençur dhe t`i mësojnë të tjerët.
Nëse nuk ke luftuar kundër armikut, e as nuk ke guxuar të flasësh apo të shkruash kur ka qenë koha, kot e ke poezia nuk të bënë patriot. Aq më keq nëse dikur pena jote ka qenë në shërbim të sllavo-komunizmit.
Dija, mençuria si ligjërata, si predikime të qarta dhe të rrumbullakësuara, si shkencë… nuk mund të tregohen përmes poezisë.. Ato mund të tregohen duke shkruar libra shkencorë, duke bërë shpikje…
Nëse dikush përmes vargjeve tenton të tregohet se është historian i mirë, sociolog i mirë, profesor i mirë, apo i gjithëdijshëm, e dëshmon pikërisht të kundërtën, dëshmon se nuk i di gjërat elementare dhe bënë punë të kotë.