Me dorëheqjen e kryeministrit nuk duhet të krijohet praktika e shkuarjes në zgjedhje!

Me dorëheqjen e kryeministrit nuk duhet të krijohet praktika e shkuarjes në zgjedhje!

Parashtrohet pyetja se në rast se në situatën aktuale politike në Republikën e Kosovës respektivisht pas dorëheqjes së Kryeministrit z. Haradinaj, të shkohet në zgjedhje dhe pas konstituimit të Kuvendit si fazë e fundit e zgjedhjeve formohet Qeveria e re, me Kryeministër tjetër dhe i njëjti pas një kohe shumë të shkurtër si shembull: pas një jave, një muaji apo një viti jep dorëheqje të parevokueshme për arsye të ndryshme, atëherë a duhet të shkohet prapë në zgjedhje?!

Shkruan: Ahmet IMAMI

Kjo praktikë nuk duhet të krijohet asnjëherë, pasi që siç e dijmë që kostoja e zgjedhjeve është e lartë dhe praktika e tillë do të ndikoj negativisht duke dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës, njashtu do të krijohet një pasiguri e stabilitetit të institucioneve kushtetuese.

Çfarë duhet të bëhet pas dorëheqjes së Kryeministrit?

Neni 95, paragrafi 5 i Kushtetutës të Republikës së Kosovës në mënyrë decidive përcakton se: “Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij mbetet i lirë, Qeveria bie dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.

Në këtë rast Presidenti i vendit duhet të ndërmerr veprimet sikurse të janë përfunduar zgjedhjet, që do të thotë se duhet t’ia jep mandatarin një kandidatit tjetër të propozuar nga koalicioni parazgjedhor i ashtuquajtur PAN për të formuar Qeverinë, si koalicion fitues i zgjedhjeve.

Nëse kandidati i propozuar nuk arrin të marrë besimin nga Kuvendi dhe të formoj Qeverinë brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, atëherë Presidenti sipas procedurës së njëjtë mandaton një kandidat tjetër për të formuar Qeverinë dhe po që se edhe kandidati i dytë nuk mund ta formojë Qeverinë brenda 10 (dhjetë) ditëve, atëherë Presidenti shpall zgjedhjet të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 (dyzetë) ditë nga dita e shpalljes së tyre. (shih: nenin 95, paragrafin 4, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës).

Siç e cekëm më lartë për herë të parë të drejtën për të formuar Qeverinë do t’a ketë koalicioni parazgjedhor PAN, ndërsa po që se dështon koalicioni PAN të formoj Qeverinë, atëherë është në diskrecionin e plotë të Presidentit se kujt duhet t’ia jap mandatarin, kandidatit tjetër i cili prapë vjen nga koalicioni PAN, apo partisë ose koalicionit parazgjedhor të dytë e daluar nga zgjedhjet, e cila në këtë rast është Lëvizja Vetëvendosje? (shih: Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës Nr. KO103/14).

Në këtë rast Presidenti ka rol të rëndësishëm pasi që është i obliguar që të vlerësoj situatën politike në vend dhe se cila parti apo koalicion mund të merr shumicën në Kuvend me qëllim të dhënies së mandatarit për të formuar Qeverinë.

Duhet theksuar se diskrecioni i Presidentit në këtë rast nuk duhet nënkuptuar në mënyrë absolute, por në mënyrë relative pasi që i njëjti nuk mund të vendos menjëherë sipas mendimit të tij personal për caktimin e mandatarit, por varësisht nga shprehja e vullnetit të popullit në zgjedhje dhe zhvillimet politike në vend të cilat duhet t’i analizoj thellësisht Presidenti i vendit.

Pra me qëllim të shmangies së zgjedhjeve partitë politike së bashku me koalicionet e tyre duhet të ndjekin këtë procedurë për të formuar Qeverinë e re pa shkuar fare në zgjedhje.

Edhe pse nuk duhet të praktikohet që në çdo dorëheqje të Kryeministrit të shkohet në zgjedhje, klasa politike në Kosovë pas dorëheqjes së Kryeministrit z. Haradinaj në mënyrë absolute kërkojnë të mbahen zgjedhjet e parakohshme për të formuar Qeverinë e re me Kryeministër të ri.

Duke pasur parasysh këtë vullnet të shumicës së partive politike për të shkuar në zgjedhje, atëherë duhet të respektohen procedurat kushtetuese që do të thotë se: ose të mos votohet as në raundin e parë, e as në të dytin formimi i Qeverisë së re dhe pas 15+10 ditëve të shpallen zgjedhjet nga ana e Presidentit të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve ose të shkohet në një procedurë më të shkurtër kushtetuese ku Presidenti me dekret të shpërndajë Kuvendin pas votimit e 2/3 e të gjithë deputetëve, përkatësisht pas votimit të së paku 80 (tetëdhjetë) deputetëve (si institucion akoma juridikisht funksional) pro shpërndarjes së Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje.

/Autori është doktorantë në drejtimin Kushtetues – Administrativ të Fakultetit Juridik, në Universitetin e Prishtinës “HASAN PRISHTINA”/

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE