ANTON NIKË BERISHA
DRITA THËRMOHET NË ETJEN TËNDE
– Agim Ramadanit –
Mos e gëzoftë mirësinë e dheut,
kush e plagos atdheun me tradhti!
(Shekspiri, nga “Rikardi III”)
Në vallëzimin e shkëlqimit të agsholit
kur vesa lindte me lehtësinë e ëndrrës
e nata zvarritej në humbella të pafund
shkulma drite zbritnin në bebëzat e tua
me lehtësinë e krahëtimit të shpendit
prehur nga kënga që e lumnon zgjimin e ditës
si Emri yt.
Ndërsa kaptoje shtigjeve të humnerave
vdekja t’u ngjiz me bukuri të praruar
me ngrohtësinë e zjarrit t’amshimit.
Kur erdhi Dita e të shumtëve
ktheve të takosh yllin tënd të dashurisë
në ujëvarën e shkëlqimit të pambarim
në çastin e çeljes së vallestsë luleve
si plim i pashkëputur buzëqeshjesh –
bukuri që gjakon përjetësinë –
kambanat e përgjumta t’i shprishin
ëndrrat e nurta të gjumit njomësor,
ndërsa ti hesht nën rrëketë e shiut pikëllues
të vjeshtës së ardhur pa kohë
e tufa gjethesh të zverdhemta
si lot të gurëzuar në qepalla
e fshehin rënkimin e rënies
të ngjizur me dufin e vdekjes.
Në rizgjimin tënd të heshtur
më vegon në hapërim të përshpejtuar
e drita thërrmohet në etjen tënde
të harruar në ngrohtësinë e diellit,
për të na tundur acarin në zemra
pse plimi i reve të ngarkuara me mjegull
lumenj trazimi në shpirt të mbjellin
e të ndryjnë në djepin e dhimbjes
si thellimi zogun e lënduar në degë.
Shkretëtira e harrimit t’i lëbyrë bebëzat
e të përplasë shtigjeve të trishtimit
kur e kërkon në ne gjakimin e jetës sate
dhe të atyre që bashkë me ty u flijuan
mbrothësinë e lirisë ta gëzojnë
ata që mbesin e të mos kryqëzohen
të gjallë më tmerrshëm se Krishti.
Më bëhet se dhimbje të shoh në sy
si lëmashk që bebëzat i mbulon
dhe shikimi yt plaga ime bëhet
që më ngadalëson hapin dhe mendimin.
Në rrjedhën e ditëve që do të vinë
edhe ylli ynë i besimit do të përtëritet
me shkëlqimin e qëllimit tënd
frymësinë që të na lehtësojë
në ndërrim të agimeve.