(Rreth librit poetik të Xheladin Rexhepit, “I DJEGUR NË SHI”, botuar kohë më parë nga Shtëpia botuese “Beqir Musliu”)
Nga: KEMAJL ALIU
Poezia e Xheladin Rexhepit në librin “I djegur në shi”, shkruar kryesisht në vitet 80-ta, karakterizohet me ngulmime kërkimore në kuptim të plasimit të formave dhe përmbajtjes duke përfshirë tematikën inovative letrare, mjetet e reja shprehëse, figuracionin, simbolikën, muzikalitet e ndjesi të veçantë, sistem harmonik si dhe leksikun që janë veçori e saj.
Poezia e Xheladin Rexhepit në këtë libër, lajtmotiv kryesor ka lirinë, ajo liri e munguar e cila për rrjedhojë ka fatin e rëndë individual dhe kolektiv në një botë të vetmuar, here-herë të braktisur dhe të harruar fare, të dominuar nga frika dhe pasiguria ekzistenciale, botë që frymon përmes ngarendjes, gjithnjë pas ëndrrës..
Gjithkund gjithka dhe në çdo moment , poeti rrethohet me horizonte të mbyllura, të mbytura nga retë e padepërtueshme , por edhe pse kjo gjendje duket tejet e pashpresë, duket e pandryshueshme , poeti shpërfaqë anën tjetër të saj, çka i jep konotacion të veçantë kësaj poezie. Ai është në kërkim të ëndërrës për liri dhe është përplot etje në rrugëtimin e tij. Ai është i djegur në shi, sepse, shi për këtë; /Cilën portë të hap në qiellin mbushur mërzi/ nëpër cilën mjegull të dhembjes të mbahem/ me çka poeti arrin të ngris synimin e mesazhit në idealitet;/ drita s’është mallkim imi drita s’ësht marrëzi/ (poezia Flakë në dëborë”)
Fati i tillë i rëndë i poetit nuk është aspak individual ai është rrjedhojë e fatit të përgjithshëm kolektiv, i cili është i tillë, kaherë, qysh ndër shekuj, të cilën poeti e dëshmon bindshëm në poezitë me motive, historike, kombëtare ku nëpërmes figurave shenja historike, (Skënerbeu, Pal Engjëlli, Pjetër Bogdani, Isa Boletini etj) të cilat apriori nuk ka pasur për qëllim t‘i portretizoj, por vënien e tyre në raport me situatat dramatike e tragjike të kolektivitetit tonë, e kuptojmë se fati individual i poetit është vetëm një hallkë, nga hallka e kolektivitetit tonë, sepse atdheu i poetit është i robëruar; /shekujt vijnë e shkojnë pa zogj në qiell/, për të vazhduar më tej me imazhe të ngrira, apo edhe kur gjërat janë në lëvizje, në ndryshim, por në një farë mënyre sikur janë të tilla për fatkobin e poetit ; /Vetëm lejlekët mërgojnë në stinën time që s’vjen/”, poezia , “Ndoshta ka qenë prill”
Por shpresa është jetike prandaj poeti thotë; /bëhemi zjarr i ndezur i shtëpisë që s’fiket kurrë /shpirt që rilindet pas çdo vdekje në dheun-altar/ psalm me borë i shkruar zog i gjakut mbi flamur/, poezia, “Formula e pagëzimit.
Fatet, vuajtjen, krajatat ekzistenciale, situatat historike, poeti arrin t‘i ngris në poetikën e tij në shkallë dramaciteti, dramacitet për faktin se ndër shekuj fati ishte po ai, fati i atdheut të robëruar. Por poeti gjithmon shpreson dhe beson në një ideal, në një fund fatlum, prandaj dhe shprehet; /për të arritur në fund; besimi per rikthim s’është veç trillim/… /është ai lumi që asnjë grykë si vë pritë/ “Argjila e shpirtit kryeneç”
Për nga tematika, përmbajtjet motivore poeti i rri besnik në masë të madhe krijimtarisë tradicionale, duke trajtuar motive të nduarnduarta, si; fëmijëria, dashuria, motivet historike, etj, por të përshkuara nga një gjuhë të figurshme poetike si dhe me varg të rimuar (kryesisht sonetet), çka e bën këtë poezi edhe më tërheqëse për lexim. Poeti, tregon një kujdes të veçantë, madje duke përdorur herë-herë edhe trajta dialektore dhe shenja të pikësimit (apostrofin), çka arrin që mesazhin poetik ta përcjellë edhe me efekte tingullore.
Ajo çka do të mund të dallohej si karakteristië e veçantë e tij është sponatniteti i vargut të rimuar, ku nuk hetohet kurrfar ndjekje e rimes apriori, apo sforcim i saj, çka do të kishte rezultuar me kuptime më të zbehta. Tërë rima e kësaj poezie ka një rrjedhë të njëtrajtshme me një fjalë buron nga një natyrshmëri e tërësishme e shprehjes poetike të poetit Xheladin Rexhepi.
Një pjesë bukur e mirë është poezia me motive të dashuurisë e cila është e përmbledhur kryesisht në ciklet “Shigjeta e Amorit “ dhe “Blana e vendlindjes” ku dashhuria në kërkim të së cilës vihet poeti është e paarritshme, apo tragjike shi për këtë “ Rrushja e Rexhës”, apo, “Gjëma Bjeshkës”, një krijim poetik i realizuar lakmueshëm, ku në mesin e tjerave poeti thot; / ajo vasha që kishte varur veten me bisk gërsheti/ mbi varrin e legjendës ka dalë bari/ askush s’po ia dëgjon gjëmën bjeshkës/.
Përgjithësiht dashuria është e paarritshme, tragjike, por përkundër kësaj ajo mbetet e pashmangshmja, e përhershmja, të cilën poeti e ngritë në nivelin e amshueshmërisë përmes vargjeve ; /Sytë e Mona Lizës i takojnë për dry’ vetëm Luvrit/ vetëm piktorit që ka ndjerë portretin prej zjarri/ dhe poetit për dritën e simboleve që s’i tret varri/ poezia “The end”.
Poeti gjithashtu sjellë edhe tematizime të ndryshme shoqërore me reflekse të veçanta për botën dhe fatin e fëmijës, botës së tij, të rrethuar nga skamja, vetmia, frika nga dimri përkatësisht siç thotë poeti në “Imazhe të ngrira” ku jeta merr fund, duke ngelur vetëm buzëqeshja në fotografi. Ky është një fat tragjik ku poeti pret më kot përqafimin e motrës ; Shi për këtë; /duart hapekrahë i kishin mbetur në fotografi / prisja të më përqafonte si çdo ditë/ ajo buzëqeshja e ngrirë për së gjalli/ poezia “ Ndoshta ka qenë shtator”.
E veçanta e vëllimit poetik “I djegur në shi” është se poeti lëvizë në dy trajta të ligjërimit artistik, ku njëra është më e figurshme dhe me varg të rimuar, por përkundër kësaj, poeti krijon edhe me varg të lirë, ciklet “Blana e vendlindjes” dhe “Ditarin që s’e shkrova II”, të krijuara me një gjuhë mjaft të drejtpërdrejtë, të çiltërt dhe të gjallë, vetëm me ndonjë varg rastësor të rimuar, që duke buruar nga një natyrshmëri e shprehjes artistike si e tillë, dhe me një figuracion dhe gradacion karakteristik shprehës, qëndron si njësi poetike fare bukur në tërësinë librore.
Duke u nisur nga të tëra këto nënvizime mund të konstatojmë se libri “I djegur në shi” i poetit Xheladin Rexhepi, paraqet një prurje dhe fakt letrar, jo vetëm për kohën dhe rrethanat kur kuptimet, figurat dhe mesazhet mateshin me peshore të hollë, por pergjithësisht pë letrat shqipe të Kosovës.
Karakterizuar me një tematikë të nduarnduartë dhe interesante, imagjinatë të bujshme poetike, spektër emocional të ngrohtë, figuracion të intensifikuar, një rimarium që i jep kësaj lirike një muzikalitet të veçanë dëshmon për vlera të mirëfillta ideo-artistike të librit në fjalë.