Tri qendrat e votimit në veri të Mitrovicës, ku do të votojnë rreth 23 mijë qytetarë me të drejtë vote, në zgjedhjet lokale të Kosovës, janë hapur sot në orën 7:00 të mëngjesit dhe nuk është shënuar ndonjë incident.
Nuk ka pasur vonesa apo mungesë të materialit sensitive në këto qendra, përveç në Shkollën e Mesme të Mjekësisë, e cila është hapur me dhjetë minuta vonese.
Pjesëmarrja e qytetarëve, deri më tani, është simbolike, ndërsa zgjedhjet janë duke u vëzhguar nga vëzhgues vendor e ndërkombëtar. Raportohet se forca të shtuara të sigurisë, duke përfshirë KFOR-in, EULEX-in, dhe Policinë e Kosovës ndodhen afër qendrave të votimit.