/ose, kur vijnë bijat gëzohet shtëpia/
Ka disa ditë që në qytetin tonë dhe gjithandej Kosovës po shtohet zhurma edhe muzika. Po shtohet edhe dendësia e veturave në komunikacion. Mërgimtarët po vijnë për çdo ditë nga pak e në radhë. Gjithandej zhurmë, muzikë dhe ‘’tollovi’’ në komunikacion.
Gani Neziri
Sikur që edhe bijat kur vijnë në baballëk, shtohet zhurma në shtëpi. Nipat e mbesat, lodrojnë mbi krevate e nën krevate. Asnjë batanije e tepihë nuk lënë në vendin e vet. Kërcejnë, lodrojnë e bërtasin. Edhe zërin ia lëshojnë televizorit ani se nuk ka asgjë për të dëgjuar.
E rëndësishme është se ata janë te dajallarët dhe kanë lirinë të bëjnë ç’të duan, ta bëjnë ‘’hallakamë’’. Epo, kush do të mund të gëzohet më shumë se nipi te dajallarët!
Po bijat?! Si mund të ndjehen bijat në shtëpinë e Babës, aty ku kanë lindur e janë rritur derisa kanë lëshuar shtatin e martesës. Aty ku kanë lënë djersitjet e para të punës. Dhe kur janë martuar, asgjë nuk morën me vete për në shtëpinë e burrit. Të gjitha i lanë aty, në shtëpinë e prindërve dhe të vëllezërve.
Prandaj, kur kthehen ‘’në të pame’’ te Nëna e Babai, te vëllezërit e motrat, ndjehen shumë të lira, shumë, shumë të lira, krejt gaz e hare dhe i japin hijeshi shtëpisë. Pra, nuk thonë kot se; ‘’kur vijnë bijat gëzohet shtëpia’’.
Tani po kthehen vëllezërit tanë nga kurbeti. Po kthehen këtu në Kosovë, ku u lindën e u rritën. Ashtu të njomë, ende pa u pjekur mirë në moshë ia mësynë rrugëve të largëta të kurbetit.
Në troje të huaja te njerëz të huaj. Iu nënshtruan ligjeve të huaja duke pranuar edhe përbuzje personale, vetëm e vetëm, për të siguruar një jetë më të mirë për familjarët e tyre që mbetën në Kosovë e pastaj për veten e tyre.
Këto ditë, nga tokë e huaj po kthehen. Nga mijëra kilometra bëjnë rrugë dhe po kthehen. Të lodhur e të këputur nga netët pa gjumë. Po kthehen te Nëna dhe Babai, te vëllezërit dhe motrat e tyre. Po kthehen me mallin për familjen e me mallin për Atdheun. Po kthehen te gurët e sokakut. Te kujtimet e njoma djaloshare të dashurive adoleshente.
Po kthehen në Atdheun e vet të dashur e të shtrenjtë, sa s’ka dashuri më të madhe mbi të. Epo, ku mund të ndjehen më mirë e më lirë mërgimtarët tanë se sa në vendlindjen e tyre. Në vendlindjen e baballarëve e në truallin e të parëve?!
Dilni e shëtitni të dashur mërgimtarë në të gjitha skajet e atdheut tonë. Kërceni, lodroni e zhurmoni deri në qiell. Edhe Dielli e Hëna të ndjejnë gëzimin tuaj.
Mbushni rrugët e qyteteve dhe mos leni rrugë pa mbushur. Me vetura të bardha e të zeza, ngjyrë bronzi e ngjyrë drite. Veturat janë tuajat, me punë e me djersë i keni fituar. Edhe të kredive qofshin ato (si dëgjoj ndonjëherë) ju do t’i paguani përsëri me duar tuaja të arta. Lëshojani zërin muzikës deri në qiell, ashtu si u pëlqen juve. Kënaquni këto ditë pushimi në mesin e familjarëve, shokëve e miqve.
Me muaj të tërë ju presim dhe as dasmat nuk i bëjmë pa ju. Dasmave tona ua shtoni bukurinë, çiltërsinë e dashurinë. Gëzimi juaj është edhe gëzimi ynë.
Me mirëkuptimin më miqësorë i drejtoj dy lutje për vetëm ndonjërin nga ju:
1. Mos i ‘’shllajfitni’’ rrotat e veturës në qendër qyteti e askund në publik dhe
2. Respektoni policët e Kosovës edhe atëherë kur ‘’nuk kanë të drejtë’’.