/2L ONLINE/ – Këshilli Qendror i Fondit Humanitar për Malësi të Bujanocit me seli në Gjilan, mbajti takimin e radhës ku morën pjesë shumica e anëtarëve të Këshillit, në të cilën u bisedua për zhvillimin e punëve të Fondit rreth asfaltimit të rrugës Zarbicë -Muhoc.
Kryesuesi i Këshillit, Mefail Limani të pranishmit i informoi se bashkë me Mefail Ramadanin, Ibrahim Maliqin patën takim pune në Bujanoc me kryetarin e komunës Nagip Arifi dhe disa zyrtarë të komunës të cilët po merren me projektin e asfaltimit të rrugës Zarbicë -Muhoc.
“Me kënaqësi mund të ju them se ky takim për ne, për fshatrat e Malësisë së Bujanocit kah kalon rruga, sikurse edhe për komunën e Bujanocit, është një lajm i gëzuar, ngase mësuam se projekti ideor ishte bërë gati, leja për tenderim është marrë dhe nga e hëna ( 08. 02. 2016) mund të bëhet tërheqja e dokumenteve nga kompanitë e interesuara për tenderim. Ky afat do të zgjatë 30 ditë. Pas këtij afati do të hapen ofertat dhe brenda pak ditësh, përkatësisht brenda afateve të procedurave tenderuese, do të dihet edhe fituesi i tenderit. Dhe nëse nuk ka ndonjë ankesë, që po ashtu janë afatet kohore procedurale, rregullimi, përkatësisht asfaltimi i rrugës Zarbicë -Muhoc do të fillojë pas 53 ditësh nga tenderimi”, ka thënë Limani.
Në hapjen e ofertave të tenderit, pjesëmarrës nga Fondi Humanitar për Malësi të Bujanocit mund të marrin pjesë deri në 10 persona. Pra, ajo është transparente për të gjithë. Po ashtu, ky tender është edhe ndërkombëtarë. Këto informacione i pohuan edhe Mefail Ramadani e Ibrahim Maliqi pjesëmarrës në këtë takim në Bujanoc.
Pra, përkundër hezitimit, në momente të caktuara, që kemi pasur se ndoshta po vonohet fillimi i punëve dhe se ndoshta po na japin vetëm fjalë premtuese, këtë radhë u vërtetua dhe jemi të bindur, gjithnjë duke u mbështetur në punën që është bërë deri më tani dhe në fjalët e kryetarit të Bujanocit Nagip Arifi, se rruga Zarbicë-Muhoc, ky projekt madhor dhe jetik për fshatrat e Malësisë së Bujanocit, do të asfaltohet, theksoi ndër të tjera kryesuesi i Fondit, Mefail Limani.
Edhe anëtarët tjerë prezent të këtij takimi: Sejdulla Kadriu, Hajrush Ramadani, Ismet Tafili, Gani Krasniqi, Reshat Sylejmani, Sevdail Miftari, Arsim Krasniqi, Naser Ajeti, Avni Hamidi, Dervish Dervishi e Halil Salihu, shprehën kënaqësinë (përkundër të ndonjë vonese që është paraqitur deri më tani) për punën e kryer deri më tash rreth këtij projekti, shpalljen e tenderit javën e ardhshme dhe së shpejti fillimin i punëve për ndërtimin, përkatësisht asfaltimin e rrugës Zarbicë -Muhoc. /2L ONLINE/