Organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, sot në Prishtinë po mbahet konferenca me gratë e suksesshme të diasporës, me temën “Roli i gruas në diasporë”.
Në konferencë po marrin pjesë gra nga Kroacia, Zvicra, Austria, Italia, Greqia e vende të tjera, si dhe nga Kosova e Shqipëria.
Konferencën e hapi zv.ministri i Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Arian Daci, i cili tha se Kosova kurrë nuk do ta harrojë kontributin e madh që ka dhënë gruaja në mërgatë për ruajtjen e gjuhës dhe të kulturës shqiptare.
Po ashtu, me nga një fjalë rasti u paraqitën edhe deputetet e Kuvendit të Kosovës: Time Kadriaj, Fatmire Kollçaku dhe Mexhide Mjaku Topalli.
Ato thanë se kanë ardhur të diskutojnë për sukseset e gruas shqiptare në diasporë, si të bëhet më shumë që t’u lehtësohet barra në vendet ku jetojnë. Deputetet e Kosovës u shprehën se do ta kenë përkrahjen e tyre, në mënyrë që konferenca të përmbyllet me sukses.
“Ju falënderoj që ma dhatë mundësinë të jem pjesë e kësaj konference. Uroj që edhe më shumë të avancojë pozita e gruas në shoqëri, që ajo të ketë trajtim të barabartë. Gruaja është shtyllë jo vetëm e familjes, por edhe e shoqërisë. Gruaja në diasporë ballafaqohet me peripeci e pengesa të ndryshme shoqërore, por ajo bën një punë shumë të madhe në edukimin e fëmijëve për ruajtjen e gjuhës, traditës e kulturës shqiptare. Gruaja e diasporës jep kontribut në politikë, kulturë shkencë e lëmenj të tjerë”, tha në fjalën e saj deputetja shqiptare e Parlamentit kroat, Ermira Lekaj –Perlaskaj. Ajo theksoi se grave duhet t’u jepet më shumë hapësirë që ato të jenë jo vetëm pjesë e shoqërisë, por edhe pjesë e vendimmarrjes në institucionet e vendit.
Në pjesën e paradites, konferenca pati në fokus rolin dhe kontributin e gruas për diasporën dhe atdheun, por edhe rolin e saj në zhvillimin dhe ruajtjen e identitetit gjuhësor, kombëtar e kulturor, veçmas të familjes.
Ndërkaq, në pjesën e pasdites do të diskutohet për sukseset, vështirësitë dhe problemet, me të cilat ballafaqohet gruaja në diasporë.
Në pjesën e fundit do të ketë diskutime të hapura dhe do të nxirren konkluzionet nga puna e konferencës.
Gjatë punës së konferencës, pjesëmarrëset do të kenë mundësi të shkëmbejnë përvojat e tyre, por edhe të njihen më mirë me njëra-tjetrën.
Si pjesë e këtij aktiviteti, nesër pjesëmarrëset do ta vizitojnë kompleksin memorial të Prekazit, qytetin e Bajram Currit dhe Luginën e Valbonës.