(2LONLINE) – Sqarim ndaj reagimit të Lutfi Hazirit, në portalin 2Lonline, në shkrimin me titull “Haziri: Mos shiko çka po thotë, por shiko se kush po e thotë”, i cili mohon takimin e tij me Kadri Veselin, gjë të cilën e kam bërë të njohur në shkrimin: “Ose janë dy “Lutfi Hazir”-a ose dy “Kadri Vesel”-a”!
Atëherë, për ta saktësuar informatën, pasi që Luta nuk po tregon burrëri për ta pranuar të vërtetën për takimin e tij me ish shefin e SHIK-ut, i shtyrë nga mungesa e sinqeritetit të tij në reagim – i vendosur të mbroj të vërtetën – jam i detyruar që ta informoj se e kam informatën e saktë! Pra, në takim, përveç ish shefit të SHIK-ut, ka qenë edhe një tjetër nga ish zyrtarët e lartë në hierarkinë e ish SHIK-ut, pra, me një fjalë, kanë qenë dy ish shefa të ish SHIK-ut!
Fjala e përdorur në titull të reagimit të tij “Mos shiko çka po thotë, por shiko se kush po e thotë”, nuk e zbeh aspak fjalën “Mos shiko çfarë thotë por shiko çfarë bën” me të cilën kam përshkruar personalitetin e Lutfi Hazirit në këtë rast! E se “kush është kush?”, njerëzit na njohin!
Ajo që më çudit në reagimin e Lutës, është se tani nuk i referohet mëatij si shef i SHIK-ut, e madje nuk ia përmend as emrin e mbiemrin, por vetëm si nënkryetar i PDK-së! Çudi, pse kjo tërheqje taktike! Mos po i del tash edhe një Kadri tjetër, ai që qenka nënkryetar i PDK-së?! A thua s’është i njëjti, të cilit në seancën e dy ditëve më parë, e cila është e incizuar, e transkriptuar dhe e cila ka dëshmitarë, i referohej si ish shef i SHIK-ut!
Dilema që më shton reagimi i tij është se tash a po ka frikë prej kryetarit të LDK-së apo prej nënkryetarit të PDK-së, për ta pranuar të vërtetën për takimin e mbrëmjes – nuk jam i sigurt!
Tash po pres që ta “mohojë” përsëri, e pastaj t’i nxjerr edhe personin e tretë dhe të katërt që kanë qenë pjesë e takimit!
Ilir Tahiri
(Autori është anëtar i kryesisë së Degës së PDK-së në Gjilan)