(2L ONLINE) – Gjilanasi Shqipran Maliqi rrëfen për portalin 2L ONLINE, për arsyet që e shtynë atë ta braktis Kosovën dhe të ik jashtë vendit. Tregon për peripecitë në këtë rrugëtim të vështirë por të “shpresës” për të. Aktualisht ai thotë të ketë pasur fatin dhe tani të jetë në Gjermani. Por, a thua sa të tjerë janë rrugëve të botës. Sa të tjerë ngecin në këtë rrugëtim të vështirë e me rreziqe?!…
Ja rrëfimi i Shqipranit
“Gjendja, nevoja dhe dëshira për punë dhe një jetë më të mirë, më shtyri që të iki nga Kosova. Mora rrugën nga Gjilani për Serbi, pastaj nga aty vazhdova për Suboticë në drejtim të Hungarisë, ku për fat të mirë arrita t’ia dal duke kaluar kufirin hungarez në këmbë. Më pas mora rrugën për në Budapest dhe vazhdova për Austri, e krejt këtë e arrita për 2 ditë. Pas mbërritjes në Austri, u vendosa në një hotel ku edhe qëndrova rreth 5 orë, nga aty mora rrugën për në Gjermani ku edhe tani jam vendosur.
Një rrugëtim i tillë për mua si një 21 vjeçar nuk ka qenë aspak i lehtë t’u i marr parasysh gjithë ato rreziqe. Nga ana tjetër i ndërpreva studimet në gjysmë i lash dhe e lash edhe familjen time që as ata nuk besonin që një ditë do të marr këtë rrugë por e vërteta qëndron në atë se shpresoja për një jetë më të mirë, e që më shtyri që të marr këtë rrugë.
Gëzohem se Kosova e ka rininë më të shëndoshë në Evropë. Dhe, për këtë, sigurisht, e kemi ndier veten krenarë. Ardhmëria jonë, më vitale dhe më e ndritshme, është një bukuri, skajshmërisht e lartë njerëzore, morale dhe kombëtare. Por, që sa e sa vite, e sidomos në këto kohët e fundit, po na mban ende ky optimizëm? Kjo përditshmëri tejet e vështirë dhe kjo papunësi e lartë, më e larta në Evropë, e kanë bërë jetën më të vështirë dhe për fat të keq, tonin dhe të Kosovës në përgjithësi, bënë që te të rinjtë tanë të shtohet vazhdimisht pesimizmi, duke e parë realisht pa perspektivën dhe asnjë vend pune për ta!
Është për të ardhur keq që kjo fatkeqësi njerëzore, shpirtërore e shtetërore, përditë po na troket në derë” përfundon rrëfimi i Shqipran Maliqit, një të ikuri nga vendi i tij me shpresën se diku tjetër do të jetë më mirë!… /2L ONLINE/