Në Grafenworth të Gjermanisë është mbajtur gara ndërkombëtare e ashtuquajtur “Ekspert i Mjekësisë Fushore”, në të cilën morën pjesë mbi 200 pjesëtarë nga shumë vende të botës, si nga: SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Danimarka, Norvegjia, Kosova etj.
Pjesë e kësaj gare ishin edhe tre (3) pjesëtarë-paramedikë të Qendrës Trajnuese të Kërkim-Shpëtimit të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të FSK-së.
Gara “Ekspert i Mjekësisë Fushore” kishte për qëllim koordinimin dhe aftësimin e pjesëmarrësve në përdorimin e teknikave të reja mjekësore si dhe ngritjen e nivelit reagues gjatë fushëbetejave reale dhe fitimin e begjit.
Nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse të kësaj gare, Begjin si ekspert të mjekësisë fushore, e kanë fituar 23 pjesëmarrës.
Në mesin e fituesve janë edhe dy pjesëtarë të Qendrës Trajnuese të Kërkim-Shpëtimit të RMC-së, Besart Ejupi dhe Kushtrim Hyseni, të cilët janë shpallur ndër më të mirët edhe në nivel Evrope.
Vlen të theksohet se vetëm tre fitues të garës kanë arritur të marrin begjin në tentimin e parë; dy pjesëtarët e FSK-së dhe një amerikan, kurse 19 fituesit e tjerët këtë begj kanë arritur ta fitojnë pas dy e më shumë tentimeve.
Pjesëmarrësit kanë garuar në disiplinat: Aftësi luftarake, aftësi medicinale, komunikim, evakuim të viktimave, test i përgjithshëm me shkrim, navigim ditën e natën, si dhe marshim me të gjitha pajisjet në një gjatësi prej 20 kilometrave.
Pjesëtarët e FSK-së, u treguan më të mirët në mesin 200 pjesëmarrësve, gjë për të cilën, nga organizatori u shpërblyen me mirënjohje.
Mund të themi se suksesi i pjesëtarëve të FSK-së, në një konkurrencë kaq të madhe, është padyshim dëshmia më e mirë se FSK-ja po ecën me hapa të sigurt drejt profesionalizimit sipas standardeve të NATO-s.