/70 vjetori i Masakrës së Gjilanit/ – Lagja e Muhaxhirëve të Gjilanit ndihmoi në mbrojtjen e kufijve të Kosovës dhe në përpjekjet për t’u mbrojtur nga okupimi partizano-çetnik, por edhe pësoi mjaft gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Shkruan: Ukshin ZAJMI
Lagja e Muhaxhirëve të Gjilanit është themeluar me ardhjen e muhaxhirëve (te të shpërngulurve) nga Serbia jugore gjatë dekadave të fundit të shekullit të XIX. Banorët e Gjilanit të atëhershëm, popullin e shpërngulur e vendosën në pjesën veriperendimore të qytetit, por, edhe ata deshën që të vendosën përkohësisht këtu, nga se mendonin se ndonjë ditë do të kthehën ne vatrat e tyre shekullore nga kishin ardhur, të detyruar nga presioni i pushtetit të atëhershëm serb.
Kjo lagje tash ndodhet në mes të rrugës Zija Shemsiu dhe Halim Orana deri në lumthin Baja dhe në mes të rrugës Isuf Kiki dhe rrugës për në teqen e qytetit, e cila u dogj pas vitit 2000. Kjo është pjesa veriore e kësaj lagjeje, kurse pjesa tjeter e kësaj lagjeje ndodhet në mes të rrugës Halim Orana dhe të asaj Haki Muderrizi dhe prej rrugës prapa Universitetit të Gjilanit e postës së Dardanise deri në rrugën e Muhaxhirëve. Shtëpitë e kësaj lagje kanë qenë të ngjitura njëra për tjetrën. Nëpër tavanet e shtëpive është mundur të kalohet prej rrugës së tashme Halim Orana deri te ajo Haki Muderrizi. Shtëpitë kanë qenë të ndërtuara me shtylla dhe trarë druri. Në mes të shtyllave kanë qenë të thurrura me thupra dhe ato të lyera me baltë. Të gjitha kanë qenë njëkatëshe, pos një pjese të shtëpisë së Zymberëve dhe asaj të Ibush Pllanës.
Lagja e Muhaxhirëve të Gjilanit, ndonëse ishte paksa e larguar nga pjesa tjetër e qytetit, pushtetet çdo here ishin buzë banorëve të këtushëm, sepse këtu ishte objekti i shkollës, një herë “Bogdani” e pastaj Gjimnazi ”Zenel Hajdini” e pas kësaj u ndërtua edhe shkolla normale “Skënderbeu” e tash komplet të gjitha shkollat e mesme.
Kjo lagjë ndonëse e re e këtij qyteti, e banuar me popullsi shqiptare dhe serbe, ajo përjetoi golgota të ndryshme, sidomos shqiptarët. Të përkujtojmë se në vendin ku ishte shkolla normale, objekti i agjencisë se pyjeve dhe Gjimnazi kanë qenë varrezat e qytetit gjatë Luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore.. Për këtë autorit i ka dëshmuar Tahir Bajrami (Radeci) i cili duke punuar në gërmimin e themeleve të objektit të banimit në afërsi të Agjencionit të pyjeve, i cili kishte hasur në varreza të shumta, bile për një varreze, pat thënë se në te ishte komplet trupi i një femre, të cilën po të ishte prezent ndonjë antar i familjes së saj do ta njihte, nga se trupi ishte si i balsamosur, por që në kontakt me diellin, i tëri u shëndrrua në hi.
Popullsia e kësaj lagjeje, duke kujtuar përjetimet e shpërnguljes nga Serbia, duke rikujtuar përjetimet e evokuara nga prindërit e tyre, ata pushtetin komunist kursesi nuk deshën ta pranojnë, ndonëse me propogandë pompoze për pushtet demokratik. Kësisoji disa banorë madhor të kësaj lagjeje ishin në ballë të frontit për mbrojtjen e Kosovës nga pushteti komunist. Në mbrojtjen e Kosovës në kufirin veri-lindor në Gallap nga kjo lagje ishin Ali Zymberi, Idriz Pushkari me gjithë vellaun Smajlin, Sefë, Halil e Idriz Gjyrisheci e të tjerë. Në njësitët e Hysen Tërpezës ishin Rahim Zymberi, Hysen (Ceni) Zymberi (atëhere quhej Mehmeti), Hamdiu i Ibres, Abdullahu i Livoqëve me djalin Bajramin dhe dy djem të tjerë, Qazim Fejzullahu (Pasjaku), Lil Pllana e të tjere. Madje edhe ata që qenë në qytet, kur u bë Lufta e Gjilanit ndihmuan shqiptarët. Mëngjesin kur po sulmohej Gjilani me 23.12.1944, në shtëpinë tonë ka ardhë, Ismajli vëllau i Idriz pushkarit dhe më ka lypur një pushkë, sepse ai nuk kishte armë. Kështu e kishte porositur babai im Ali Zymberi. Unë e dija se në shtëpinë e Cenit ishte nji pushkë e vendosur në mur, në mes te dy dritareve. Shkova në shtëpi, e ngrita drrasën përpjete e mora pushkën dhe ia dhash, ka treguar Sabit Zymberi.
Nga kjo lagje gjatë luftës së Dytë Botërore janë vrarë:
1.Mehmet “Tush” Masurica- nuk dihet ku është vrarë
2.Bislim Qerim Grainca (babai i Ramadan Bislimit) në Drenicë
3.Alush Sahiti -bahqevangjia-Masakra e Gjilanit
4.Mehmet Zymberi-nuk dihet ku është vrarë
5.Shabani i Ibrës (Radeci)- është vrarë dikund në Drenicë, dikush e ka denoncuar dhe e kanë nxjerre nga brigada dhe e kanë vrarë.
6.Shefkiu i Ibrës-Masakra e Gjilanit.
7.Isak Brestovci-ka qenë sekretar i Bashkisë se Gjilanit. Është i vetmi që i kundërshtoi komunistët në foltore ditën kur hynë në Gjilan, më 16.XI.1944. natën e kanë marrë në shtëpi dhe e kanë likuiduar.
8. Hashim Selim Qerimi-Grainca-16 vjeçar-e morën si peng dhe e vranë me 24 .12.1944, per shkak se vëllau i tij Muharremi ishte ne Brigadat ne Drenicë (Ka qenë me Batalonin e Rinisë të Gjilanit).
9. Halime Bajrami (nana e Ramë Radecit), u vra në shtëpi nga dritarja
10. Shabani i Kutalit
11. Murat Mehmet Musliu- u vra në Drenicë
12. Është vrarë edhe një qe e ka ruajtur teqenë.
13. Hysen (Ceni) Mehmeti-Zymberi, është vrarë në Shqipëri, (pasi ka qenë pjesëmarrës i një desanti). Hysen Tërpeza ka thënë se varrin e ka afër një ure në Dibër të Madhe.
14. Avdullahu i Livoqëve është vrarë afër Gadishit, te Livadhi i Gjatë, kur granata e minahedhësit e ka goditur.
15. Islam Selman Rexhepi-Rekaliu. Pas luftës në Gjilan, ai shkon në Busavatë,por pasi qëndron një natë atje kupton se në Gjilan po i marrin dhe vrasin burra, gra e fëmijë, ai nuk kishte fjetur tërë natën, dhe të nesërmen niset për Gjilan. Kishte me vete dy bomba dore. Kur vjen të çeshmja e Dragancën, pin ujë dhe e zen gjumi. Një patrollë partizane e takon dhe e arreston. Dy javë e kanë mbajtur në burg në Gjilan dhe e kan pushkatuar. Është marr vesh se është pushkatuar vetëm me njerën këpucë, sepse njëra këmbë i ishte enjtur nga të rrahurat, andaj ai ia kishte dhënë këpucën e tij për të shkuar në tualet një të burgosuri tjetër.
16. Isak Reka, nip i Elez Rekës-Drenicë.
Janë palogosur:
Fetah Topalla. është vonuar kur e kanë thirrur, sepse ka qenë duke e falur mëngjesin dhe e kanë gjuajtur rafal në derë të shtëpisë. I ka pasë 7 plagë.
Shaban Radeci-Bajrami, fëmijë, është plagosur në duar të nënës së vet të cilën e kanë vrarë
Rrëfimtarët:
1.Sabit Ali Zymberi (1933), në Gjilan me 6 maj 2010.
2.Zijadin Ilazi
3.Ali Islami
4.Nehat Bajrami
5.Sejdi R. Selimi
Foto:
nga e majta në të djathtë: Rahim Zymberi, Avdiu, Hysen (Cen) Mehmeti, Mehmet Mehmeti, ulur:Ali Zymberi dhe në prehër Sabit Zymberi. Fotografuar në vitin 1935/1936.