(2L ONLINE) – Një trup gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, ka shqiptuar dënimin ndaj të akuzuarës R. H. në kohëzgjatje prej 5 (pesë) vjetëve burgim dhe dënim me gjobë në shumë prej 400 (katërqind) Euro.
Gjykata gjeti se e akuzuaraR. H., shqiptare, shtetase e Republikës së Kosovës, me vendbanim në Gjilan, ka kryer veprën penale, trafikim me njerëz nga neni 171 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës sëKosovës (KPRK). Pasi që e njëjta me datë 14 prill 2014 deri më datë 28 prill 2014, një person të gjinisë femërore rekruton, transporton, strehon dhe me anë të kanosjes e detyron të kryej marrëdhënie seksuale me një person të gjinisë mashkullore, në një hotel në Durrës të Shqipërisë – thuhet në njoftim të Gjykatës Themelore në Gjilan.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Afrim Shala, gjatë shpalljes së aktgjykimit ka thënë se ndaj të akuzuarës R. H. vazhdohet paraburgimi derisa aktgjykimi të bëhet i formës së prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar me burgim.
Gjithashtu të akuzuarës ka për të ju llogaritur edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak dhe në paraburgim.
Palët gëzojnë të drejtën e kontestimit të këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit në Prishtinë./2L ONLINE/