Më 13 janar të vitit 2017, “Skifterat” u mblodhen më te bashkuar se asnjëherë më parë për të sjellë ndryshime rrënjësore në klubin e tyre të zemrës SC Gjilanin.
Përmes protestave dhe thirrjeve ata kërkuan nga ish-drejtuesit e klubit të hapnin rrugë investitorëve të ri, për shkak të gjendjes së rëndë financiare që kishte kapluar katër herë finalistët e Kupës së Kosovës.
“Skifterat” kërkuan privatizimin e klubit që i mundësonte afrimin në klub të biznesmenit të njohur kosovar Florim Zuka, i njohur ndryshe si “Tali”.
Pas shumë përpjekjeve në zyret e klubit dhe në dhomat e zhveshjes, madje edhe duke kaluar netë të gjata dhe pagjum, ata i’a dolën.
Klubi mbajti Kuvendin e jashtëzakonshëm, në të cilën u votua shkarkimi i kryesisë dhe kalimi i kompetencave te biznesmeni Zuka, i cili aktualisht është pronar i klubit.