Drejtori Bekim Mustafa, uron nxënësit dhe mësimdhënësit në përvjetorin e dhjetë të Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”
Të nderuar kolegë!
Zonja dhe zotërinj; të nderuar mysafirë!
Nxënës të dashur!
Është përvjetori i dhjetë i Gjimnazit tonë, që me nder mban emrin e Xhavit Ahmetit. Është jubileu i parë i Gjimnazit tonë dhe retrospektiva na flet me fanatizëm për suksese të vazhdueshme në mësimdhënie e mësimnxënie; për suksese të jashtëzakonshme të nxënësve tanë, tashmë të shpërndarë në të katër anët e botës si profesionistë fushash e dijesh të ndryshme, prandaj duhet të ndjehemi të lumtur e krenar për veten e punën tonë, dhe sigurisht për sukseset e nxënësve tanë. Suksese të panumërta këto dhjetë vite shkolla jonë ka shënuar në gara të dijes në lëndë të ndryshme, duke përfaqësuar edhe shtetin tonë; suksese të jashtëzakonshme në disiplina të ndryshme sportive; në bashkëpunim me OJQ vendore e ndërkombëtare dhe institucione lokale, shtetërore e ndërkombëtare. Kemi pritur e kemi bashkëpunuar suksesshëm me të gjitha këto institucione duke dëshmuar dije, përkushtim e përgjegjësi të lartë.
Dua që sot, në këtë jubile, të shpreh mirënjohjen e falënderimin mësimdhënësve për përkushtimin, vullnetin e dashurinë. Mirënjohje e veçantë për mësimdhënësit që bashkë me nxënësit i sollën shkollës sonë gjithë ato suksese.
Mirënjohje e falënderim i veçantë nxënësve kampionë të shkollës tonë që kurdo e kudo na bënë krenar!
Sigurisht, kishim edhe sfida të shumta, që i tejkaluam me bashkëpunim e mirëkuptim mes nesh e me institucionet tona drejtuese arsimore e politike.
Dua t’ ju falënderoj të gjithëve për punën e mirë, mirëkuptimin e bashkëpunimin. Dua t’ju inkurajoj që të vazhdojmë edhe më mirë e edhe me më shumë përkushtim. Ne mundemi edhe më mirë.
Gëzuar e urime Dita e shkollës!
Shëndet e gëzime për ju dhe familjet tuaja!
Ju faleminderit!
Drejtori i Gjimnazit natyror “Xhavit Ahmeti”,
Bekim Mustafa