“Vjeshta letrare e Gjilanit”, si një manifestim dhe afirmim i artit letrar gjatë gjithë këtyre nëntë edicioneve, që kur ka nisur nga viti 20110 e këndej, është përpjekur dhe iu ka krijuar hapësirë edhe librave të parë, të cilët janë shkruar qoftë nga autorë të rinj, po edhe nga autorë më në mosh, siç është rasti i Profesorit të Orientalistikës, z. Halit Halitit, një bashkëkombas i yni që në këto tridhjetë vitet e fundit, ka jetuar, punuar e vepruar në shtetin e Zvicrës.
Jeta mërgimtare, përkundër të gjitha sfidave me të cilat e ndeshi jeta, nuk ia zbehu për asnjë çast dashurinë e tij ndaj Kosovës e, në veçanti ndaj vendlindjes së tij, fshatit Kokaj, që shtrihet në thellësi të majave Karadakut, mes Gjilanit e Preshevës, ku edhe bëri hapat e parë, madje mësoi dhe ABC-në e jetës, në shkollën e këtushme, e cila, duke mos iu shmangur asnjëherë nga kujtimet e përditshme e, ëndrrat e përnatshme, u bë thjeshtë pjesë e jetës së tij, madje i hyri dhe në libër me po të njëjtin emër, nëpër 276 faqet e tij, për të mbetur gjithnjë aty, për breza e breza…
Duke evokuar përmes penës dhe mendjes së tij, odisejadën e ndërtimit të një shkolle, aty ku nuk kishte pasur kurrë, Halit Haliti, në cilësinë e narratorit apo rrëfimtarit, madje duke marrë dhe rolin e personazhit kryesor, ngjallë njëkohësisht dhe figurën e babës e, sidomos të gjyshit të tij, Nezirit, pa dashurinë dhe mundin e të cilit, nuk do të ishte ngritur ajo .
E, natyrisht nuk do të ishte shndërruar në Çerdhe drite edhe për qindra e qin dra vogëlushë të tjerë, të cilët sot janë shpërndarë gjithandej dhe përhapin dritë e dije, duke mos i harruar për asnjë çast, hapat e parë dhe vendin ku e mësuan alfabetin e jetës, i cili më pastaj ua farkoi dhe forcoi dashurinë për besimin dhe përkushtimin, edhe ndaj Zotit e, edhe ndaj Njeriut…