Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati së bashku me shefin e kabinetit të ministrit të Financave të Emirateve të Bashkuara Arabe Mirza As Saeg, myftiun e Kosovës Naim Tërnava, e përfaqësues të Këshillit të Bashkësisë Islame në Kamenicë, përuruan objektin e ri administrativ të BIK-ut.
I pari i komunës falenderoi donatorët dhe myftiun Tërnava për këtë investim në Kamenicë.
“U jemi shumë mirënjohës Emirateve të Bashkuara Arabe, për gjithë investimet që kanë sjellur në Kosovë, e së fundmi edhe në Kamenicë. Objekti i Gjinekologjisë, Pediatrisë e Urgjencës, si dhe ndërtimi i këtij objekti, hapja e puseve e ndihmat për fëmijët jetim të komunës sonë, vijnë pikërisht nga këto shtete. Duke na ndihmuar kështu, të rregullojmë mirëqenien e qytetarëve tanë, e duke i mbështetur në të gjitha format”, tha Kastrati.
Dr. Mirza As Saeg shefi i kabinetit të ministrit të Financave të Emirateve të Bashkuara Arabe( EBA) dhe njëherësh është edhe antar i Fondacionit Al Maktoum, gjatë fjalës së tij përcolli përshëndetjet e shejh Hamdan Al Rashid, i cili ka një një vëmendje të veçantë për Kosovën dhe popullin e saj.
“Ju premtojmë se do të angazhohemi edhe për projekte tjera dhe forcim të vizitave mes dy qeverive tona”, ka thënë ai.
Myftiu Tërnava falenderoi donatorin nga Dubai në krye të delegacionit Dr. Mirza As Saeg, organet komunale për bashkëpunimin dhe investimet që po bëjnë në ngritjen e infrastrukturës së BIRK-ut, siç është edhe ky objekt i përuruar.
Të gjithë së bashku vizituan hapësirat e selisë së KBI të Kamenicës, i cili është një objekt modern, që ofron kushte më të mira dhe më komode për punë.
Në fund u ndanë edhe disa mirënjohje për myftiun Tërnava dhe për mysafirët.