Mustafa ka thënë se pas 17 shkurtit 2007 nuk ekziston më asnjë arsye që të mos jemi bashkë dhe që të mos punojmë bashkërisht në ndërtimin e së ardhmes.
Ai tha se qëllimi i institucioneve është që qytetarëve, kudo që jetojnë ata, t`iu krijojnë kushte për jetë dhe mirëqenie, dhe i ka inkurajuar serbët lokalë të Pasjanit që të përfshihen në proceset integruese.
“Sot po fillojmë realizimin edhe të një projekti në fshatin Pasjan, pas atij të ujësjellësit, ndërsa do të vazhdojmë me asfaltimin e rrugëve dhe investime të tjera në infrastrukturë, të cilat ua premtuam qytetarëve të këtushëm gjatë një vizite, në nëntor të vitit 2009”, ka thënë me këtë rast kryetari i komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa.
Ndërsa, nënkryetari për komunitete, Nenad Cvetkoviq, tha se ky është një fillim i mbarë në komunën e re të Parteshit, derisa i ka rikujtuar bashkëvendësit e tij se ka marrë premtime të fuqishme nga institucionet e Republikës së Kosovës, për investime tjera në komunat e reja.
Fshati Pasjan, ku po ndërtohet rrjeti i kanalizimit, ka rreth 300 familje serbe. Ndërmarrja “Teuta M” premton se projektin e kanalizimit, në gjatësi prej dhjetë kilometrave, do ta përfundojë brenda 80 ditëve të ardhshme./2lonline/