Spitali i Përgjithshëm, Gjilan
Përurohet Barnatorja Qendrore në Spitalin e Përgjithshëm, Gjilan – një ndër barnatoret më të mëdha në Kosovë me mbi 1000m2 me standarde europiane.
Kishim kënaqësinë që të presim në vizitë pune delegacionin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Drejtorisë së SHSKUK-së me në krye Ministrin z. Arben Vitia, Drejtorin e SHSKUK z. Elvir Azizin, Kryesuesin e Bordit të SHSKUK, z. Dren Boshnjakun, Drejtorin Shëndetësor, z. Ardian Shefkiu, Drejtoreshën e Barnatores Qendrore të QKUK-së znj. Dardane Mehaj.
Me këtë rast u bë inaugurimi i hapjes së Barnatores Qendrore të SP Gjilan, planifikim dhe investim nga buxheti i Spitalit të Gjilanit me ndihmën e Drejtorisë së SHSKUK-së në vlerë 302,714.17 euro me sipërfaqe mbi 1000 metra katrorë. Një pjesë e objektit të ndërtuar do t’i shërbej edhe zgjerimit të hapësirave të Repartit të Fiziatrisë.
Me këtë rast Ministri z. Vitia pati një takim të përzemërt dhe të sinqertë me stafin shëndetësor të spitalit dhe me menaxhmentin të cilët i përgëzoi për punët e bëra dhe në ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore të spitalit.
Ministri i Shëndetësisë , z. Arben Vitia shfrytëzoi rastin që të japë informacionin e madh për ne që përfundimisht është arritur dakordimi në mes të Agjensionit për Zhvillim të Luksemburgut LuxDev dhe të Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës për investimin prej 10 milion euro në formë donacioni dhe bashkëfinancimi për renovimin dhe rikonstruktimin e objektit spitalor nr 1 i cili përfshinë rreth 60% të të gjitha shërbimeve.
Drejtori i SHSKUK z. Azizi pasi përgezoi për punën e bërë, premtoi mbështetjen e SHSKUK për punët e mira që po bëhen dhe për projektet në të ardhmen, një projekt si ky i plotëson të gjitha kushtet dhe standardet europiane.
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm, z. Arsim Emini i falenderoi mysafirët për vizitën dhe për kohën e ndarë për inaugurimin e objektit të ri të Barnatores Qendrore dhe në mbështetjen e vazhdueshme nga ana e Ministrise së Shëndetësisë dhe të SHSKUK.
Ky është lajmi me i mirë ndonjëherë për spitalin tonë dhe për të gjithë qytetarët e Anamoravës.
Ky është investimi me i madh në vitet e pasluftës i bërë ndonjeherë në Spitalin e Gjilanit.
Spitali i Gjilanit do të jetë me standardet më të larta infrastrukturore. Nësë kësaj i shtojmë edhe investimet në edukimin e gjeneratave të reja të specializantëve dhe në rekrutimet e bëra dhe ato që do të bëhen, lirisht mund të thuhet se shëndetësine e Anamoravës po e presin ditë të mira. Gezuar!
Drejtuesja kryesore në Barnatoret Qendrore të SPGJ znj. Teuta Elezi prezantoi organizimin e barnave në këtë hapsirë duke treguar se temperature e ruajtjes së barnave duhet të jetë 16-25 gradë celzius, lagështia 40-70%, kurse barnat termolabile ruhen në frigorifer 2-8 gradë, kjo vlen për të gjitha barnat dhe materialet medicinale.
Barnatorja Qendrore furnizon të gjitha barnatoret e reparteve me barna dhe material medicinal-shpenzues, çka tregon se është një nga shtyllat më të rëndësishme organizative të SPGJ.
Në barnatoren qendrore ofrohen shërbime Farmaceutike dhe Profesionale si dhe bëhet furnizimi, ruajtja, përgatitja, dhënia e barit dhe informacionit për përdorimin e tij si dhe shërbime të tjera të kujdesit shëndetësor, në përputhje me dispozitat e ligjeve në fuqi. /2LONLINE/