Përurohet ambulanta e rinovuar në Kishnapole

Gjilan – (2LONLNE) – Në kuadër të strategjisë “Zbutja e Varfërisë nëpërmjet Zhvillimit të Qëndrueshëm”, dhe në mbështetje të fuqishme të Karitasit të Luksemburgut  si donator, së bashku edhe me Komunën e Gjilanit dhe qeverinë e Kosovës, sot është përuruar ambulanta e rinovuar në fshatin Kishnapole.

Karitasi i Luksemburgut dhe Komuna e Gjilanit kanë përuruar renovimin detal të Ambulantes së Mjekësisë Familjare në këtë fshat e realizimi i këtij projekti ka kushtuar mbi 50 mijë euro, me participim 70% të qeverisë së Luksemburgut dhe 30% të Komunës së Gjilanit. Kjo ambulantë është pajisur me aparaturë dhe inventar adekuat për funksionimin normal të saj dhe për dhënien e shërbimeve kualitative.
Me këtë rast kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, ka thënë se pas përurimit të ambullantës në fshatin Bresalc sot po e përurojmë edhe këtu një ambulantë shumë të bukur dhe po nisim bashkë edhe ndërtimin e shkollës së re për këtë fshat dhe fshatrat përreth.

“Shteti i mirë nënkupton sigurimin e jetës së qetë, të mirë, me perspektivë që ne së bashku po e bëjmë këtu, falënderuar përherë donatorit nga qeveria e Luksemburkut, por edhe donatorëve të tjerë të shumtë që janë në Gjilan. Donatorët tanë kanë ardhur në Gjilan dhe kanë derdhur djersën e popujve të shteteve të tyre, vetëm për një fakt sepse kanë gjetur gjithnjë gatishmërinë e Komunës, kapacitetet profesionale për të bashkëpunuar dhe për të ndryshuar gjendjen për së miri për qytetarët tanë”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa Xhemajl Salihu, Drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka uruar banorët e kësaj ane dhe njëkohësisht ka falënderuar donatorin për këto investime më se të nevojshme të bëra atje. Ai ka përmendur edhe donatorët e tjerë që kanë sjellë investime kapitale në Gjilan si Norvaku me ndërtimin e objektit për tri shoqatat me aftësi të kufizuara, kooperacionit italiana që ka punuar gjatë për ndihmë shoqatave dhe personave me aftësi të kufizuara, Komisionin Evropian në projektin për trajtimin ditor të fëmijëve me aftësi të përjetshme të kufizuara, Karitasin e Luksemburgut që vetëm për këtë kohë 2011 – 2013 po investim bashkë me qeverinë dhe Komunën mbi 600 mijë euro.

Aktivitetet e bëra nga karitasi gjatë kësaj faze janë në sektorin e gjenerimit të të hyrave ku janë përkrahur fermerët me shoqëri të bletëve për më shumë se 27 përfitues, përkrahja me dele, ku janë 13 përfitues me nga 30 krerë dele, këshillime profesionale për përfituesit, ndërsa në sektorin e shëndetësisë është bërë pajisja e Ambullantës së Mjekësisë Familjare me aparat hematologjik, me inventar dhe aparaturë për përkujdesjen primare, edukim shëndetësorë për gratë dhe edukimi shëndetësor për nxënës.

Në infrastrukturë është bërë renovimi detal i dy ambulancave në Bresalc dhe Kishnapole, ndërsa në sektorin e arsimit janë organizuar takime të rregullta me mësimdhënës, prindër dhe nxënës, aktivitete në lëmin figurativ, pajisje për kënd të muzeut, lekturë shkollore etj për shkollën këtu në këtë fshat, poashtu edhe në sektorin e barazisë gjinore janë organizuar kurse për konservimin e pemëve dhe perimeve dhe shumë aktivitete të tjera. Poashtu sot po nis edhe objekti i ri i shkollës së Kishnapoles.

Nga ana e tij Ardian Hasanaj, përfaqësues i Karitasit të Luksemburgut, ka thënë se këto investime në Gjilan kanë ardhur së pari për komunikimin dhe bashkëpunimin shumë të mirë që e kemi me Komunën, kryetarin dhe drejtorët e drejtorive komunale, për çka edhe i ka falënderuar, duke uruar që të vazhdohet edhe më tutje bashkëpunimi me ta. Për Karitasin me rëndësi nuk është vetëm investimi këtu, por është i rëndësishëm i gjithë procesi. Kishnapola sot ka përfituar në tersi jo vetëm me objekte fizike por edhe me funksionim të grupeve sektoriale.

E drejtori i Qendrës Kryesor të Mjekësisë Familjare në Gjilan, Valbon Milazimi, ka falënderuar donatorin dhe Komunën për këto investime shumë të rëndësishme në infrastrukturën shëndetësore, që së bashku edhe me resurset profesionale do të jemi pranë qytetarëve. QKMF, në strategjinë e saj pothuajse ka përmbyllur objektivat e saj për ofrimin e shërbimeve sa më afër qytetarëve. Ne jemi të përkushtuar që të japim shërbime sa më efikase dhe cilësore për popullatën, me qëllim që popullata jonë të jetë sa më e shëndosh.

Përndryshe, Karitasi i Luksemburgut dhe Komuna e Gjilanit në vitin 2011, kanë nënshkruar marrëveshje në kuadër të programit për Zhvillimin e Komunitetit përmes strategjisë “Zbutja e e Varfërisë nëpërmjet Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Gjenerimit të vendeve të punës”, ku parashihen investime në sektor të ndryshëm si në arsim, shëndetësi, aktivitete për gjenerim të të hyrave, ambient, bujqësi dhe fuqizim të gruas dhe shuma e përgjithshme ishte 400 mijë euro, por me investimin edhe të MASHT-it në ndërtimin e shkollës ky investim do të rritet në total në 600 mijë euro. /2lonline/

KOMENTE