Sipas studimeve, 9 nga 10 persona me kancer të mushkërive janë duhanpirës. Është përllogaritur se rreziku që ka një duhanpirës për të shfaqur kancer të mushkërive është 10-30 herë më i madh se rreziku i joduhanpirësve.
Rreziku rritet me sasinë e cigareve që konsumohen brenda ditës me kohëzgjatjen në vite. Edhe duhanpirja pasive rrit shanset me 20-30 % për të zhvilluar kancer të mushkërive.
Sot duhanpirja konsiderohet si shkaku kryesor i kancerit të mushkërive, si për meshkujt ashtu edhe për femrat.
Si ndikon duhanpirja në shfaqjen e kancerit?
Më shumë se 40 lëndë kimike që shkaktojnë kancer ndodhen në tymin e cigareve. Duhani përmban substanca kancerogjene të cilat ndikojnë në materialin gjenetik të qelizave të ADN-së, material i cili është rregullator i funksionit të qelizave, dhe për pasojë shfaqet kanceri. Duhanpirja e dëmton sistemin imunitar dhe mekanizmat mbrojtës bien.
Pasi është shfaqur kanceri a ka vlerë të lihet duhani?
Studimet tregojnë se lënia e duhanit përmirëson reagimin e organizmit ndaj terapisë, si për kimioterapinë ashtu edhe për radioterapinë, si dhe redukton efektet anësore ndërkohë që plagët kirurgjike shërohen më lehtë. Gjithashtu, rreziku i rikthimit të kancerit dhe shfaqja e një forme kanceri tjetër në organizëm ulet.