/Isak Ahmeti: “Dritë e përjetësuar”, poezi
Shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë, 2019/
Shkruan: Mehmetali Rexhepi – 2LONLINE.com
“Dritë e përjetësuar”është vëllimi me vjersha të përshpirtshme i poetit, studiuesit të letërsisë dhe përkthyesit letrar nga gjuhët italiane, gjermane dhe kroate Isak Ahmeti. Libri të cilit po i referohemi është i katërmbëdhjeti i radhës, vazhdimësi e vistra librash profilesh e karakteresh të ndryshme: nga poezia autoriale, përkthime të Salvatore Quasimodos prej italishtes, të lirikës së re gjermane; më tej studimi “Kleri Katolik Shqiptar”, libra monografish, studim për Kosovën, libri monografik “Bibla në Letërsinë Shqiptare”, botuar nga Rilindja, më 1999; duke vijuar me veprën “Letërsia Kishtare dhe Filozofia e saj”, në Illyricum Sacrum, Prishtinë,2000; “Kur`ani në Letërsinë Shqiptare”, botim elektronik, Shkoder net, Fjala e Lirë, 2006; qasje studimesh për disa nga veprat e Anton Nikë Berishës dhe shkrime të tjera…
PROFILI NJERËZOR
Padyshim Prof. Isak Ahmeti është një personalitet i njohur jo vetëm në letrat shqipe. Kultura e tij letrare depërtoi edhe në qarqe e huaja, në revista të faqeve kulturore-artistike, shkencore në Zagreb, Sarajevë, Shkup, Shkodër, Tiranë e gjetiu. Është fitues i mirënjohjeve, çmimeve, diplomave, veçmas për t`u theksuar, i Çmimit dhe Diplomës “Ndre Mjeda” në Kukël dhe i Qendrës të Studimeve Albanologjike në Tiranë, (Kukël, më 23 nëntor 2013).
Prof Isaku me këshilla dhe pjesëmarrje të drejtpërdrejta ose të tërthorta kontribuoi, bashkë me përfaqësuesit e Kishës Katolike Shqiptare, të Ipeshkvisë së Kosovës dhe donatorë të çmuar për mbarëvajtjen kulturore, kishtare dhe letrare-artistike e muzikore të manifestimit tradicional gjithëkombëtar “Takimet Dom Mikel Tarabulluzi” në Stubëll të Epërme, të Komunës së Vitisë.
Isak Ahmeti përfaqëson profilin e intelektualit modern, i pajisur me kulturë kombëtare dhe evropiane, nëpërmjet komunikimit në italisht, gjermanisht dhe të gjuhës kroate, si në të folur ashtu dhe në të shkruar. Po ashtu, për ta njohur Profesor Isakun më gjithanshëm, sjellim të dhënën se ai kishte njohuri të konsiderueshme për latinishten, një rrethanë për qasje në lashtësinë e shqipes e të fiseve ilire.
Në çfarë prizmi mund ta paraqesim profilin njerëzor dhe etik të Isak Ahmetit? Ai është prore i këndshëm për të komunikuar, për të shkëmbyer pikëpamje me miq, studiues, dashamirë të kulturës e të librit, edhe me nivele të ndryshme njerëzish, pa imponuar qëndrime e pikëpamje… Ta ka ëndja t`i shkëmbesh pikëvështrimet për çështje të ndryshme, madje dhe atëherë kur lakoret e pikëvështrimeve nuk bashkohen në një cak. Duke qenë njohës i filozofisë biblike, më lejohet të pohoj pa modesti, se profesor Isaku arrin të prekë mendësi e kode të hershme kishtare, ku vegjetonin variante gjuhësore e kulturore të ilirishtes pararendëse e shqipes…
Shkuarja e hershme në amshim e gruas së kurorës, Isakut i la zbrazësi… Megjithatë, Profesor Isak Ahmeti prehjen shpirtërore, pos në libra e shkrime, e vijoi me trashëgimtarët e frytit të dashurisë… Mosha e tretë e bëri të vetën, por Prof. Isaku nuk u luhat në asnjë pikëpamje: as njerëzore, as shpirtërore, as atdhetare.
Mes trekëndëshit të artit të leximit e të shkrimit, të komunikimit me figura erudite, si Dom Lush Gjergji, Anton Nikë Berisha dhe të bashkë-fqinjit të tij Sarë Gjergji; udhëtimet në Itali, vendqëndrimit në Arbon të Zvicrës, personazhi i vijëzimeve të mia Isak Ahmeti pulson me ritme gjallërie, tej mërzisë, tej rutinës e dinamikës marramendëse të jetës së sotme.
* * *
“Dritë e përjetësuar” është libri poetik i radhës i Isak Ahmetit, jo me simbolikën dhe poetikën çfarë e njihnim më parë si lexues këtë poet kërkimtar. Përderisa në vëllimet e mëparshme poetike “Gallatea”, Rilindja, Prishtinë, 1972; “Uratë zbulimi”, Rilindja, Prishtinë, 1976; “Kushtimebesë”, Rilindja, Prishtinë, 1983; leximi i poezisë së tij doemos të kërkonte rikthimin, përqendrimin për lexim zbërthyes të veshjes poetike, për shpalimin e ngadalshëm, të disahershëm të gjuhës figurative, kontrasteve të fjalësit, të sistemit figurativ, të reflektimeve ironike, të konceptimeve shumëkahësh, të ritmikës emocionale dhe farfurisë së ngjyrave e të ideve… Në vëllimin “Dritë e përjetësuar” edhe pa njohje të alfabetit figurativ, zbërthehet gjithçka me stilin e një thjeshtësie pothuajse të skajshme në llojin e vet! Kjo qasje vjershërimit për poetin Isak Ahmeti nuk është as varfëri, as shterje e unit poetik…
Librin e përshkojnë lutje, lëvdata, psalme, përgjërime, bekime, urata, shpresë për Zotin e Gjithë-kohës… Koncepti i zgjeruar i dashurisë, përvujtërisë, i përkushtimit të vogëlsisë së njeriut për madhështinë e trinisë: Zoti, Perëndia, Hyji. E gjithë kjo ndjeshmëri e përshpirtshme merr shtrirje në katër cikle: “Më i larti” ka tridhjetë e dy vjersha; “Drita e përjetësuar” gjashtëmbëdhjetë; “Koha” gjashtë sosh, ndërsa cikli i katërt “Kuptimi shpirtëror i krijimit”, po aq sa i treti, gjashtë poezi. Brenda katër ciklesh përfshihen gjashtëdhjetë vjersha, kryesisht të shkurta, më e gjata “Në emrin tënd” është me njëzet e gjashtë rreshta.
Poetit dhe librit i bën nder vlerësimi përgjithësues e i gjithanshëm i redaktorit, studiuesit, poetit e romansierit Anton Nikë Berisha.
KONCEPTIMI I TË MADHËRISHMES
Konceptin e të madhërishmes në vëllimin “Dritë e përjetësuar”, poeti Isak Ahmeti e nis me përmasën e madhështisë në vjershën “Zot”, të trajtës së pashquar… Mirëpo, për ta spikatur madhështinë e Zotit, shkallës së pohores mbiemërore “I madh” , në përmasën përfytyruese të tij, i shton pohimin cilësor duke lënë të kuptojmë: pse Zoti është i “I madh”, ngase trinia konceptore ngërthen virtytin dhe diturinë e, dituria e Tij është e pafund:
“I madh je o Zot
i madh virtyti yt
dituria jote
e pafund”
Konceptimi hyrës i përmasave konstatuese, adhuruese, mrekulli-bërësi,vullnet-dhënësi, mbështjellin tërësinë e këtij vëllimi deri në faqen (88) tetëdhjetë e tetë, me konstatimin për Zotin e Madhërishëm:
“Ti kohën e mat
vetëm me dashuri
dhe dashuri mbjell”
Dua të nënvizoj disa nga motivet e përshpirtshme të poetit, të cilat tejkalojnë caqet e lavdërimeve, të lutjeve, të përgjërimeve, të gjendjeve shpirtërore të ngazëllyera për sigurinë e strehës, për kulmin nën përkujdesje të Madhërishmit… Aty ku hyn dhe gjen prehjen e përvujtërisë të jetës kalimtare në të përhershmen e Zotit…
Konceptin e krijimit përkatësisht të Krijuesit të qiellit, të tokës dhe ngjizjen e njeriut prej Zotit, poeti e trashëgoi nga pararendësit biblikë. Pra, në këtë rrafsh-shtrirje nuk kemi një pikë-gjetje të re. Këto konceptime që vijnë nga vargu në varg, mëtojnë të plotësojnë konstatimet e gjithë-shtrirjes të Zotit dhe, kudo e çfarëdo që është bërë, poeti është i prirë prore të theksojë ekzistencën e qenies së tij me Zotin, aq sa nuk ngurron ta quaj “Zoti im.”
Në diskursin e përshpirtshëm, gjithnjë shkallë-shkallë, përplotësohet koncepti i konstatimeve sipërore:
“Ti
më i larti
më i miri
më i fuqishmi
i plotfuqishmi…”
Në këtë rrethanë shpirtërore le t`i drejtohemi pyetjes: a arrijnë t`ia plotësojnë këto vargje cilësitë sipërore Zotit, nëse Ai i Plotfuqishmi do të ishte Një Zot statik?! Assesi! Zoti i konstatimeve supreme, ose si e quan poeti:
“Zoti im
gjithmonë në veprim”
Poeti sheh dhe i sugjeron lexuesit, se qenia e gjithë-shtrirjes të Zotit është dialektika vepruese e Tij. Duke qenë veprues dhe i pranishëm në vetëdijen e poetit, ai me dhuntinë e dhuruar nga Zoti, i thurë urata, psalme, bekime e mirënjohje poetike deri në frymën e fundit, sikurse e thjeshta dhe e mrekullueshmja Shën Terezë.
Në botën e shfaqjes së ambicieve të sëmura, në trajtat më të paparashikuara të së keqes së njeriut, e përshpirtshmja e poetit sedër-butë është trazuar, shqetësuar, dëshpëruar, stresuar dhe zhgënjyer; andaj lutjet e tija të theksuara janë mundësia e vetme e jehonës shpirtërore drejtuar Zotit:
“Dëgjoje
o Zot
lutjen time
mos lejo të shkatërrohet
shpirti im”
Meqë e kultivon besimin se lutja e tij shkon në ndjeshmërinë e Zotit, atëherë poetit vetvetiu i rrjedhin burimet e lëvdatave, të konsideratave për atë që është :
“Mirësia ime e njëmendtë!”
Joshjet, cytjet e pareshtura për ta dashur, për ta adhuruar, për ta çmuar dhe për t`iu përulur, në përshkallëzimin e mëtejmë emocional, kurdoherë në pajtim me konceptin fillestar, janë të shumta dhe gjithë-përfshirëse. Zoti simbol i mbrojtjes të së drejtës, të qetësisë dhe paqes ndër-njerëzore… Variacionet e vargut të lutjeve nuk pushojnë… Caku i fundit për shfaqjen e devotshmërisë nuk është ngopja e urisë materiale, është uria, si thotë poeti, për diçka hyjnore:
“Kam uri
për hirin Tënd
Zoti im
jo për bukë”
Në të gjitha përsiatjet e këtij stili shpirti i padjallëzuar i poetit, strehën e fundit, shmangien nga “vorbullat e mbretërisë së djallit” e kërkon dhe, sipas poetit e gjen te Zoti:
“Zoti im
më merr nën mbrojtjen tënde”
Koncepti i madhështisë së Zotit vjen duke i përmbushur përmasat e Shpëtimtarit kundër së keqes:
“nga e keqja
nga njerëzit ogurzinj
nga ata që shkatërrojnë
dhe përmbysin jetën”
Teksti i lutjes së poetit për shpëtim është i drejtpërdrejtë, lutje para altarit e jashtë tij, së bashku me sivëllezër e motra tjera. Më tej konceptimit të poetit nuk mbeten as kategoritë etike dhe estetike: e vërteta dhe e bukura. Rrumbullakimi i konceptuar i qasjes për Zotin, merr kahe të identifikimit në thellësi të shpirtit, në marrëdhënien e trashëgimisë së gjakut, në shenjën identifikuese “Ati im.” Çfarë kemi këtu? Këtu kemi gjakimin e autorit për afrinë më të madhe gjenetike me Zotin! Kursi i kësaj qasjeje është brenda vijimësisë së cilësive, të gjithë përmasës të Madhështisë së Zotit… Zoti jo vetëm ngërthen, por dhe zbërthen shpresa e përjetësi në vazhdimësi të kohës.
Lutjet, bekimet, lëvdatat, uratat e poetit për Zotin si Krijuesi i vetëm i gjithësisë, shohim si dalin prej gurrave të një mendjeje me intelekt të zgjeruar, mendje që reflekton gjithanshëm. Hapësira reflektuese e poetit është e gjerë; e pasuruar nga përvoja e kapërcimit nëpër sprova e mynxyra të paperceptueshme, është mjedisi etik dhe etnik i poetit e studiuesit Isak Ahmeti. Si të përballohet urrejtja e tmerrshme shekullore e një etnie kundruall etnisë autoktone?! Kush mund ta s`lironte njeriun e flashkët prej peshës së rëndë të ankthit? Brendia e qenies së brishtë me anë të lutjes, beson fortë se do ta mëshirojë Zoti dhe, t`i shtrijë dorën e shpëtimit… Ajo dorë ia tumiri lutjen e çiltër shkrim-besimtarit dhe i dhuroi edhe dashuri! I dhuroi dhuratën më madhështore: dashurinë, dhuratë mbi të cilën ngrihet lumturia njerëzore!
ZOTI SIPAS MODELIT TË NJERIUT
Koncepti i shtruar në nismë të librit “Dritë e përjetësuar”, do të mbetej i mangët pa një sërë përbërësish shpirtëror, ekzistencial, etik, filozofik dhe estetik. Poeti në përfytyrimet e veta ka njëzuar mendësinë, mirësinë, filozofinë dhe devotshmërinë biblike; shëmbëllesat e flijuara për bamirësi, përçimin e asaj fryme misionare nëpërmjet engjëjve (apostujve) mes nevojtarëve. Në kohën bashkëkohore, në shekullin njëzet, sublimë e këtij shëmbëllimi është pikërisht fryma, frymëmarrja dhe frymë-dhënia e Nënës Terezë, përkatësisht Shën Terezës sonë.
Përmes shprehjes të përshpirtjes, poeti nuk është thjeshtë në pozitën e një instrumenti të shfaqjes së ndjesive personale për Madhështinë e Zotit. Çka ka mësyrë ky poet? Për poetin është jetike depërtimi në thellësi me thjeshtësi… Depërtimi i lehtë, pa kushtëzime në zonat e ndjeshme, për tumirje parashtresash prej Zotit! Në këtë mënyrë Madhështia e Zotit zbret në përshpirteni, në kompleksin e botës minore të njeriut… Çfarë kemi në këtë ndër-njohje? Këtu kemi shtytjen e ndërsjellë për identifikim, Zoti sipas modelit të njeriut?! Në këtë kontekst paradoksal ndodhesh mes pikëpyetjes e pikëçuditjes… Poeti sërish na kthen te koncepti i mirënjohur me përfytyrimet mitike për Zotin:
“Zoti është dashuri
s`ka gjymtyrë
as gjatësi
e pra
në përfytyrimin e tij
na ka bërë”
Koncepti i shëmbëllimit të njeriut me Zotin, te kjo poezi, duket se ngjanë me panteizmin e Naim Frashërit. Isak Ahmeti ka njohuri për panteizmin, por në poezinë e kësaj ndjeshmërie nuk ka pamje dualiste. Mbi të gjitha dukuritë, mbi të gjitha ligjësitë zotëruese janë Ligjet e Zotit, pohojnë vargjet e këtij poeti. Isak Ahmeti është i vetëdijshëm se poeti bartë shpirtin e qenies tokësore, ndaj rropatet rrjedhave e shtjellave të jetës qytetare, me të gjitha rregullat e brishta të qytetërimit lakmitar dhe, kundruall atyre pak të mirave ai has në ndeshtrasha… Poeti i përket një etnie të përndjekur e të vetë-ndjekur me fatin kryesisht tragjik… Ai ndjehet thellësisht mirënjohës për të mirat e përhershme të Zotit:
“dhe e ke shkëputur shpirtin tim
nga thellësia e territ”
Lutja e poetit për tejkalimin e vorbullës i hap shtrirje përmasës njerëzore:
“Shtrije dorën tënde
Zot
mos lejo
që njerëzimi të rrotullohet nëpër mugëtirë”
KAPËRCIMI I EGOS PËRMES ZOTIT
Disa nga vargjet e këtij vëllimi nuk i shmangen notës këshill-dhënëse, sikurse te vjersha pesëvargëshe “Këndo shpirti im.” Kategoritë estetike ku ngjyejnë motivet e këtij libri shpërfaqin Zotin, si një e vërtetë e përhershme…; gjithashtu dashurinë si një kategori e përjetësuar përjetshëm. Zoti përfaqëson të mirën, prehjen dhe frymën e pasosur.
Për t`ia rrokur tërësinë, për t`ia dëshmuar e bekuar devotshmërinë, konceptit të parashtruar të përshpirtjes së Isak Ahmetit, i duhet besimi gjithë-kohësh në emër dhe për emrin e Zotit, sepse veçse aty, te Ai nuk shterojnë lumenjtë e “haresë së përjetshme!” Konceptit për njësimin e materies me gjithësinë, poeti i kundërvë përkufizimin e tij mbi materien:
“Vetëm ti je
gjithçka që është
dhe mbetet”
Në këto përsiatje kategoria absolute e kohës për poetin është krijesë e Zotit ose latinisht:
“Deus creator omnium.”
“Jashtë saj
nuk gjallon asgjë”
Sa mund të vërej si lexues, poeti Isak Ahmeti në këtë vëllim poetik, nuk u përqendrua të ndërtojë një botë poetike-metaforike. Ai shprehu përsiatje, variacione shpirtërore për dhe rreth lajtmotivit të Tej-hapësirës dhe Tej-kohës; simbolin e të Gjithë-dijshmit, të Gjithë-mëshirshmit, burimin e jetës, të vërtetës, të ngazëllimit e të lumturisë… Modestia e poetit i lutet që t`i zbuten dhimbjet dhe përmbushen qëllimet fisnike, të cilat i përmbush pos vullneti suprem i Zotit!
Meqë poeti u përcaktua për këtë mënyrë shkrimi, aty-këtu hasim vargje që zgjojnë reflekse artistike, të cilat kapërcejnë nivelet e lutjes, si te vargjet e vjershës “Nuk e di”, pastaj shfaqje vizionesh poetike-filozofike te vjersha “Kujtesa”, ose shqiptimi i vizionit të pavdekësisë te “Koha flet për ty”:
“Do të kalojmë nga kjo jetë
në një kohë tjetër”
Jeta shoqërore e cila gjithnjë sjell të papritura: krime, mashtrime, shthurje, dhunë, streset dhe ankthet, ankthin atomik e biologjik…?! Autorit mund t`i mbyllen shumë shtigje, por pos njërin nuk ia mbyll askush: strehën te Zoti, strehën e Zotit. Pikërisht kësaj strehe poeti i shkroi psalmet, uratat, lutjet, bekimet, lavdërimet… Zgjatja e dorës së Zotit e ndjell mirësinë, e mbjell frytin…
Përkushtimi kësisoj është në funksion të fisnikërimit të njeriut e njerëzimit, të katarzës shpirtërore të poetit. Kështu natyrshëm vjen respekti për krye-personazhin, autorin Isak Ahmeti!
Presim vepra të reja prej muzave të këtij autori!