Shënime gjatë leximit të romanit…
Nga Timo Mërkuri
Ndërsa përjetoja në lexim metaforën e fuqishme të romanit “Përsëri Mars” të shkrimtares Albina Idrizi, m’u kujtua shënimi i Akademikut Rexhep Qosja te romani i saj i mëparshëm “Për një mëngjes ndryshe” ku shkruan…Lexojeni këtë roman: do t’ju përvetësojë me ngjarjen shumë përshtypjebërëse, me ligjërimin mjeshtëror dhe me bukurinë e shprehjes artistike. Mjaftueshëm që të dëshironi roman të ri prej Albina Idrizit…
1-Nuk e di pse ndërsa po lexoja romanin e ri “Përsëri Mars” të kësaj autoreje më dukej se nisa të dialogoj me profesorin e nderuar, ose më saktë, nisa të pohoj konstatimin e bërë prej tij te romani i mëparshëm por adresuar romanit të ri. Ka diçka përtej këtij konstatimi ky roman, gati në të gjithë strukturën e tij. Ka një subjekt më shumë sepërshtypjebërës, ka një ligjërim dhe një bukuri të shprehjes artistikeqë e kalon bukurinë e shumë romaneve të cilësuar “të suksesshëm”, ka një frazë sa të bukur në ndërtim sa edhe muzikore në ndijim. Të tillë frazë që të ndjell të lexosh më tejë, jo aq për të parë ecurinë e subjektit se sa për të shijuar edhe më larminë e saj. Ashtu siç prêt që të dëgjosh këngën pasardhëse të një grup iso-polifonik pasi je mrekulluar nga kënga e parë. Ka ca personazhe që të duket se i ke njohur dhe je takuar me ta diku. Aq të gjallë janë. Ka një jetë, që ndryshe nga çdo vend i botës jetohet në varreza. Madje, edhe po të dëshirosh të blesh libra për të lexuar, duhet të shkosh në varreza për ti blerë. Për sa ju them, ndokush do mendojë se bëhet fjalë për një roman absurd, por unë ju siguroj se është një roman realist, madje kushdo mund të identifikojë edhe qytetin ku zhvillohet ngjarja në vitet e para pas luftës së fundit. Dhe jo vetëm në Kosovë. Një roman i shkruar me frymëzim e art që më së shumti ka qasje me një prozë poetike.
2- Kishte të drejtë Rexhep Qosja! Ne e dëshironim një roman të ri nga Albina Idrizi. Por puna është se ne dëshironim një roman që ta lexonim qetësisht, duke admiruar bukurinë e ligjërimit të autores, që para syve tanë të pasqyronte shumllojshmëri ngjyrash dhe nëpër veshë të na emetonte heshtazi një melodi violine. Si e Paganinit.
Ndërkohë,Albina na dha një roman, i cili qysh në faqet e para na bëri të hidheshim përpjetë, sikur të ishim ulur mbi gjëmba. Ligjërimi i romanit jo vetëm që mbart bukurinë e dëshiruar dhe muzikalitetin e ëndëruar, por në tejkalim me romanin e mëparshëm mbart një strukturë solide dhe estetike të fjalive që lidhen me njera tjetrën, si për nga mënyra e formulimit frazeologjik ashtu dhe në atë kuptimor. Shto mbi këtë si një qershi mbi tortë, edhe një rritje guximi të autores për të depërtuar në thellësi të shpirtit njerëzor apo për të formuluar pasazhe e skena edhe për tema të quajtura tabu. Vërtet që ke dëshirë ti rilexosh pjesë të këtij romani, si për të shijuar edhe njëherë artin dhe stilin e të shkruarit, mënyrën e hartimit të frazave e fjalive të ligjërimi apo zhvillimin befasues të ngjarjeve.
Ato janë aty, në pritjen tënde, të të marin përdore nëpër faqet e romanit, si prindërit që marin përdore fëmijët e vegjël për një vizitë në kopështin zoologjik. Dhe ty, si një fëmijë i mahnitur , të shkëlqejnë sytë e të mprehet vëmëndja, kur has nëpër kapituj pasazhe e ndodhi befasuese, si kafshë të panjohura në kopështin zoologjik, të cilat as që e dije se egzistojnë. Kureshtja rritet e rritet dhe nuk ndalesh së ecuri, sepse ky roman është plot të papritura e të panjohura, që nga mendimet e gjer te qyteti i varreve … Gëzimi e njohu vështrimin e dikurshëm të shokut të klasës, Vështrim që luste e përgjëronte nën shkëndijat e sipërfaqëshme false të guximit…fq 56 Lida e lidhte natyrën e drojtur të së jëmës me të kaluarën e saj të cilës nuk kishte mundur tia gjente portën asnjëherë…fq 118., Çasti kur ndjen dhe ke gjithçka, sepse je gjithçka. Asgjë nuk të duhet.Asgjë nuk të mungon. Ishte zona ku të gjitha fizikat, të gjitha materiet, të gjitha njehësimet dilnin nga përdorimi. Edhe sytë , edhe veshët, edhe gjuha. Sepse nuk ishin fjalët ato që kapnin dhe përshkruanin atë që ndjehej. Ishte heshtja. Fq 211 etj, etj.
3-Por nuk është vetëm këtu shkaku i “tronditjes” sonë në leximin e këtij romani. Personazhet plot mister në jetën dhe karierën e tyre janë tepër të tejdukshëm në penën e Albina Idrizit, madje mund të themi se në këtë roman Albina është “specializuar” në pikturimin e portreteve të personazheve. Shpesh këtë e bën nëpërmjet gjesteve e veprimeve të tyre. Qysh në fjalimet e para të Agimit në kandidimin e tij për kryetar komune, qysh në mënyrën e prezantimit të Gëzimit në tubimet zgjedhore, me fjalë që më së shumti synonin të tregonin kinse bujarinë e tij ndaj jetimëve të luftës së fundit…Pse kështu more djalë? Apo nuk të kam afruar kushtet dhe mundësitë për të qënë më i miri? Fq 20ose..”Ja ku është pasqyra e zemërbardhësisë së kryetarit tonë të ardhshëm. Këtu tek fëmija që shikoni para jush”…fq 21, njihemi me një njeri me shpirt të boshatisur, si një shishe e pambushur. Është ky njeri që pretendon të jetë i parë i qytetit, që synon të martohet me një vajzë pse ajo është e bukur dhe e arsimuar dhe jo pse e dashuron, dhe mqse nuk e dashuron, nuk di as si ti propozojë, ndaj i kërkon Gëzimit ti shkruajë një letër dashurie me emrin e tij si autor… Letra pati sukses të përkohshëm, i dhuroi Agimit një fundjavë të bukur pasuar nga një braktisje e përherëshme. Dhe fundi i këtij njeriu bosh është një ikje nëpër vakum. Synimi i vetëm dhe i mbetur në jetën e tij ishte që të kishte varrin më të mirë se kundërshtari i tij politik, kryetari aktual i Komunës dhe meqënëse ky e kishte përfunduar varrin e tij, e vetmja mënyrë që ai të varrosej te varri i lakmuar, pse ai ishte në vendin më dominues të varrezave, ishte që ai të vriste veten dhe të linte amanet për vendvarrimin, mqse ai vdiq i pari…
3.1- Përgjithësisht Albina Idrizi skicon mjaftueshëm portretin fizik të pesonazhit, por ndërkohë paraqet bindshëm botën shpirtërore të tij, çka e bën personazhin aktual dhe të pranishëm në seancën e leximit. Përgjithësisht në letërsi portreti fizik i personazhit shumë rrallë është faktor letrar. Këtë mision e luan portreti shpirtëror i cili vë në lëvizje procesin letrar. Këtë Albina Idrizi di ta krijojë mjeshtërisht me pak reshta, shpesh me pak fjalë, por këto fjalë duket sikur vallzojnë kur Albina skicon portretet. Gëzimi, jetimi i pagëzuar me epitetin “birbo” por që u sillte veç gëzime ne jetë njerëzve është një njeri fjalëpakë, madje është personi që flet më pak ndonëse është personazhi kryesor dhe më aktiv në roman. Në portretin e Lidës ai u bind se e bukura ishte gjethkë, larg tipareve…Ishte diku më thellë. Brenda tyre…Vetëm ajo (dashuria) mund të depërtonte aq thellë dhe ta ndiente…fq 101. Për të njohur Metin, na mjaftojnë disa rreshta që flasin për gdhëndjen e fluturave te mermeri i varrit të së bijës, përshkrim që na bën ti njomim me lotë krahët e tyre. Na mjafton një fjali e Dulit me atë bëlbëzimin e tij karakteristik, për ta njohur këtë njeri të punës jo vetëm fizikisht. Na mjaftojnë pak radhë për të njohur Lidën, Limin, Difen apo Fatën, se Zarifen e njohëm në sallën e konferencave pa folur fare.
4- Natyrshëm gjatë leximit të këtij romani mu kujtua “Shpirtërat e vdekur” të Gogolit dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Kadaresë, i pari për lojën e Çiçikovit me emrat e të vdekurve, që vetëm sa i regjistronte emrat e tyre, për ti deklaruar si bujkrobër të tij dhe i dyti që solli një general e një prift për t’u nxjerrë ushtarëve të vrarë eshtrat nga varret e për ti kthyer në Itali nëpër arkivolë të vegjël..
5- Albina Idrizi jo vetëm që I qaset kësaj teme por e shpie në skajshmëri, ndryshe nga dy mjeshtrat e mëdhënj të letërsisë ruse dhe shqiptare, dhe gati në të njëjtin nivel artistik me ‘ta, e trasferon jetën në kreshtën e varreve. Nuk gabohem kur them “gati në të njëjtin nivel artistik”. Po të lëmë mënjanë modestinë tonë dhe të autores dhe të analizojmë vlerat artistike, ju siguroj unë se një vlerësim më të lartë meritor do shprehim për autoren. Shpresoj në vëmëndjen dhe durimin tuaj për të më dëgjuar…
…Qyteti po braktiset. Jo vetëm që ka ndryshuar qasja e tyre ndaj krastës së varreve, por ka ndryshuar edhe botkuptimi i tyre ndaj jetës. Askush nuk duket duke ndërtuar apo rinovuar shtëpi….madje as shitoreve të veshmbathjeve nuk shiheshin turma si dikur. Sallonet estetike kurrë nuk kanë qënë më të zbrazura dhe sheshi asnjëherë nuk është dukur më i qetë e më i trishtuar se këtë muaj…fq 164. Të gjithë nxitojnë të blejnë tokë për varre…pesëqind euro…Duhet të jenë mjaftë apo jo? fq 68 , madje këtë e synojnë si qëllimin më kardinal të jetës dhe e quajnë sukses kur ja mbrijnë …Ah, për pak të haroj…Kam marrë një vendvarri për ne të dy në krastën e tij ….fq 92 dhe gëzohen si fëmijët me lodra, kur e blejnë tokën e varrit në vend të mirë … Oh, vetëm ta shohësh…. ku është? Pikërisht mes varrit të profesorit të letërsisë dhe atij që mban atë portalin e njohur… fq 93 I kam angazhuar puntorët menjëherë.… fq 93. Çuditërisht edhe këtu krijohet një hierarki vendvarimesh…Ata më të kamurit dhe më të ngriturit…, kishin rezervuar menjëherë pas kryetarit vendet dhe…kishin filluar punimet e varreve…fq 111 .Radhët e mëposhtëme u ishin lënë qytetarëve të rëndomtë kurse…rendi i fundit…ishte për të skamurit, për të papunët, lypësit…fq 112. Qyteti është boshatisur dhe jeta zhvillohet në varreza, ku dëgjohej…zëri i hollë … i shitësit të petullave që endej me tepsinë e mbushur mbi kokë përgjatë kanalit: Petulla të ngrohta. Petulla të ngrohta…, Pa shitësin e librave me tezgën e tij lëvizëse dhe iu afrua. Edhe ti këtu? Sigurisht miku im. Sheshi është zbrazzur I gjithi. Kujt tja shes aty. fq 112. Madje janë ngritur dhe kioskat e para ku njerëzit gjerbnin kafe apo çaj.
Aty pranë janë edhe varret e të rrënëve për liri, ngushtuar në parcelën e tyre nga varret e njerëzve që me boshësinë e tyre pompoze, pretendojnë madhështi fizike pas vdekjes, si për të kompesuar këtë boshësi gjatë jetës… u ndal… pikërisht përballë varrezave të dëshmorëve të cilët, midis asaj katrahure që i rrethonte, qenë tulatur brenda modestisë të cilën ajo nuk e vuri në dyshim se i kishte shoqëruar në gjallje të tyre…fq 153 ndërkohë që më sipër …varri i kryetarit kishte përfunduar. I madhe dhe i bukur si një mauzole perandori. fq 112.
Përgjithësisht njerëzit kanë filluar të ndërtojnë varre për të dashurit e tyre të ndjerë, duke shprehur në këtë mënyrë dashurinë e respektin ndaj tyre, shpesh herë shprehin një ndjenjë ndjese dhe pendimi për mungesat që nuk ua plotësuan dot në jetë dhe po e kompesojnë tani me ndërtimin pompoz të banesës së fundit. Shpesh edhe për një dukje niveli të lartë fiktiv të mirëqënies në të gjallë. Arsyet janë të ndryshme por asnjë nuk e kënaq personin të cilit i kushtohet ky pompozitet. Sepse gjithmon varrin e ndërtojnë ata që mbeten mbi dhe për atë që ikën nga kjo jetë.
Por te romani “Përsëri mars” varret njerëzit i ndërtojnë qysh në gjallje të tyre, secili për vete dhe po vetë u japin dhe formën që dëshirojnë, formë që u përjetëson ëndrat e parealizuara në jetë, materializuar në objektimn më të pamenduar që njeriu mund të ndërtojë për vete, varrin e tij. Dikush që në rini pati ëndëruar të bëhej kitarist, e bën varrin në formën e një kitare. Dhe na tregon…Mos shiko rradhët e sipërme. Po çmënden të mëdhenjtë së treguari madhështinë e tyre…E sheh atë varrin në formë tulipani? Duhet të jetë i dikujt që i do tulipanët. Aq i është dashur për lumturinë e tij….e dallon atje pas tij varrin si top basketbolli. Po atë varrin ….si libër i hapur?…Tjetrin afër tij në formë peme me dy zogj në majë?…Në vend që të kënaqemi me atë që duam ndërtohen rrokaqiej e grumbullohet pasuri, grindje e ndërskamca që komplikojnë jetën…pa nevojë… fq 179
6-Njerëzit janë qënie shoqërore që duan ta jetojnë jetën në nivele të caktuara mirëqënie materiale e shpirtërore dhe që mosrealizimi, mungesa apo pengesa në sigurimin e tyre prodhon forma të ndryshme revolte. Albina na paraqet një revoltë të heshtur, braktisjen e një forme të jetuari, braktisje që mjeshtërisht artistikisht e sos në dëshirën të materializuar në varre.
6.1- Ama të ndërtosh varrin tënd për së gjalli është më shumë se rrënqethëse, edhe ta mendosh. Ndërsa ta shohësh të përfunduar, duke të pritur si një gojë lubie e hapur, për njerëzit normal është më se makabre. Por personazhet e romanit kanë një këndvështrim tjetër. Sipas tyre, varret janë një vend i përshtatshëm për të …fjetur…sidomos kur të nxjerr gruaja nga shtëpia… Po flija. Është varri im ky. Të pëlqen? Ditën duket akoma më i bukur.Fq 176 , Fata na tregon se duke u vetvrarë me ilaçe brenda varrit të përfunduar dhe aq shumë të dëshiruar nga Limi, është një formë hakmarjeje ndaj shfrytëzimit të tij. Ndërsa Agimi pretendon që të përfitojë varrin e kundërshtarit të tij duke vdekur më parë se ai, prandaj vret veten.
6.2-Është një jetë plot paradokse, ku rrugët e mundimëshme të jetës, shtruar me dhimbjen njerëzore, veprimet dhe dëshirat e njerëzve, ngjajnë me labirinthe të cilëve nuk u gjëndet shtegdalja. Por janë të bukur këto labirinthe. Dhe këtë bukuri e ka dhënë autorja në një mënyrë që të mos e lëshosh librin nga dora, duke të mbajtur në ankth për sa lexon e me dëshirë e shpresë për një shtegdalje në një lëndinë të bukur ku…do ndërtojmë shtëpinë tonë. Do ndërtojmë jetë… fq 217. Dhe vetëm në fund të romanit kujtohemi që jemi në muajin mars, muaj kur gjithëçka rilind, që “pavarësisht gëzofit të ngjarjeve me të cilën e vesh koha jetën, ai vjen gjithmon i njëjtë, ripërtëritës”. Ashtu siç vjen talenti i Albina Idrizit gjithnjë në rritje, gjithnjë e më fin, me një stil dhe elegancë që të imponon ta lexosh e ta riliexosh më se një herë, duke të dhënë gjithmon një kënaqsi estetike në rritje
Dhe më pas, duke dëshiruar prej saj një libër tjetër të ri.