(me rastin e tridhjetegjashtë vjetorit të rënies)
Gani NEZIRI
Në mbrëmjen e 2 prillit 1985 erdhi në shtëpinë tonë shoku ynë i fëmijërisë Tahir Lubishtani. Ishte dhe një arsye më shumë për të përgatitur çajin sa më mirë. Pas bisedave të ndryshme që bëmë në grupimin familjarë, erdhi momenti që edhe të bisedonim kokëmëkokë e veshmëvesh me Tahirin.
-Hë, kah ja paskeni mësyer sante ? ndërhyri Babai im dhe shtoi; do të shpërndani letra për Sherifin, a?
-Jo, jo, kësaj here nuk do të shpërndajmë letra, -ia ktheu Tahiri- sante do të qojmë lule te varri i Sherifit! Ju na keni mësuar se; shpirtrat e dëshmorëve shkojnë në lula të xhennetit. Pra, edhe ne në këtë botë do t’ua bëjmë vorrin me lule.
-Ëhë, shumë punë e mirë po u bëjka, -tha Babai im dhe shtoi;- Është borxh i të gjallëve me e hjeshue sa ma mirë Vorrin e dëshmorit. Por, jo veç me i que lule mbi varr por, me mbjell lule mbi varr dhe rreth varrit që me hjeshue krejt vendin rreth e rrotull varrit.
-Mos i pengo djemët në punët e tyre, lei rahat, – ndërhyri Nëna ime, duke u drejtuar nga Babai.
-Jo, ori jo, nuk po i pengoj por, e kisha mendjen se çka mund t’i ndihmoj këta djem.
-A vërtetë po mendon që t’i qojmë lule, a? -iu drejtova Tahirit.
-Po, po, vërtetë po mendoj që kësaj radhe të qojmë lule te vorri i Sherifit, -ma ktheu Tahiri.
-Epo, ku do t’i marrim e si do t’i qojmë, a e ke menduar këtë punë?- e pyeta Unë.
_Nuk është problem se ku do t’i marrim e si do t’i qojmë, problemi është; nëse po të pëlqen ideja apo jo?
-Si nuk më pëlqen, ore, më pëlqen fort, – ia ktheva Unë, – por…
-Çka pooor, mos vazhdo të flasish më shumë, -më ndërpreu fjalën Tahiri dhe shtoi; -qohu menjëherë të nisemi se koha e mesnatës po afron. Lulet i kam siguruar Unë dhe i kamë lënë në Odën tonë. Është mirë të ngutemi se, Baba Ramiz nuk flenë pa shkue Unë.
-Ëhë, mirë pra, të ngutemi, -i thash- dhe kërkuam leje nga Babai im që të nisemi.
-Oo, Axha Elmi, a po na jep leje të shkojmë në punën tonë, -foli Tahiri.
-Po,po, patjetër, -foli Babai im dhe shtoi; – Shkoni, shkoni. Udha e hajrit ishalla. Zoti ju ndihmoftë në këtë punë të madhe. Po ndoshta o kanë ma mirë që me ardh me juve edhe Unë, bile me hecë nja niqind hapa para juve, me kqyrë mos po sillet kush udhës katunit, -përfundoj fjalën Babai im.
-Jo, jo, jo, -ndërhyri shpejt Tahiri dhe i tha; veç na thuej natën e mirë dhe ndalu këtu në këtë vend.
U përshëndetëm me Babën dhe me familjarët e mi duke uruar për natën e mirë me njëri-tjetrin dhe bashkë me Tahirin, dolëm deri te dera e oborrit.
Pra, meqenëse nesër është ditë e shënuar e katërvjetorit të rënies heroike të Sherif Frangut, ndoshta edhe mund të kishte ndonjë patrollë policore që do të përcillte situatën e kësaj nate në fshatin tonë.
Prandaj, fillimisht u kujdesëm që nëpërmes plasave të derës të vënë vetëm njërin sy që të përcjellim sokakun e fshatit. Pastaj, me ngadalë, hapëm edhe gjysmën e derës dhe nxorëm gjysmën e kokës duke shikuar sa majtas e sa djathtas sokakut. Pasi vëmë re se nuk kishte lëvizje nëpër rrugën e fshatit, hapëm derën të tërën dhe me vrap shkuam te dyert e oborrit të Tahirit.
Çuditërisht, në pragun e derës e gjejmë Mixhën Ramiz duke na pritur, ku ta dish prej sa kohësh.
-Pa marak, pa marak, hiq mos u tutni se askush nuk ka kaluar këtejpari.-foli Mixha Ramiz
Hymë brenda në oborrin e Tahirit pa bërë asnjë fjalë, ndërsa Mixha Ramiz mbylli derën me kujdes pa bërë as zhurmën më të vogël.
U futëm brenda në Odë, në këtë konak të vjetër që e kishte ndërtuar dhe shfrytëzuar shumë vjet para nesh Mixha Tahir-Plaku, (Xhyshi i Tahirit të Ri) që në moshë të re ishte në shërbim të luftës së Bajram Currit .Konak, jo vetëm i kësaj nate, por edhe i shumë trimave që u kishin rezistuar furtunave të pushtimeve të shumë ushtrive pushtuese; pushtimit turk, pushtimit të kralevines serbe, pushtimin gjerman, jugosllavisë titiste e së fundi edhe pushtimin millosheviqian. Të gjitha këto i përcolli deri në shkatërrimin e tyre ndërsa, kjo Odë vazhdon të jetoj edhe më tutje me krenarinë e lavdisë të kohëve që shkuan.
Nejse!
U ulëm në shiltet e shtrira rreth e përqark dhe jastëkët e fortë të mbështetur për muri. Pas pak erdhi edhe Mixha Ramiz dhe u ulë aty pranë nesh.
-Pak si shumë u vonuat bre djem ? -foli Axha Ramiz dhe shtoi; -Te dera e oborrit e prisja vetëm njërin (Tahirin) e tani ju shoh se erdhët dy. Prej kah po vini kaq vonë e për ku ia paskeni mësy? -përfundoi fjalën e vet Mixha Ramiz.
-Shkurt e shpejt po të kallxoj, o Axha Ramiz, kemi menduar që sante, me rastin e katërvjetorit të rënies së Dëshmorit të lirisë Sherif Frangu, me e nderue punën dhe veprën e Tij heroike, -ju përgjigja unë.
-Epo, qysh e keni mendue me e ba këtë nerim, – vazhdoi të pyeste Plaku.
-Nderimin që kemi mendue me ja ba është; me ja que një grusht me lula te vorri i Tij dhe me lut ZOTIN që të kujdeset për shpirtin e Tij dhe t’ia bëj vorrin Xhen-net me lula, iu përgjigja.
-Ëhëë, -bëri me gojë Mixha Ramiz, pushoi pak dhe shtoi; -shumë mirë, shumë mirë e paskeni menduar. A, veç e keni menduar apo edhe do ta bëni patjetër?- pyeti plaku.
-Fillimisht e kemi menduar e pastaj edhe do ta bëjmë patjetër. -iu përgjigja.
-Po, po, do ta bëjmë patjetër, -ndërhyri edhe Tahiri dhe shtoi; do ta bëjmë, se nuk bënë të mos e bëjmë nderimin për Sherifin. Kështu do të sensibilizohet rinia jonë dhe ngritët dashuria për Atdheun dhe rritet respekti për krejt Dëshmorët e lirisë.
-Folmë pak ma shyp djalo, çka është kjo sen-spli-simi e …..hahaha?
Lëshoj ca të qeshura mixha Ramiz por, qeshëm edhe ne, madje, qeshëm pak si shumë.
-Kjo domethanë që, me e mësue edhe rinin tonë që me e dashtë Atdheun dhe me i respektue njerëzit që punojnë për Atdhe e që edhe vriten për Atdhe. Nëse ne burgosemi edhe njëherë, apo edhe mund të vritemi një ditë, nuk i dihet, Rinia jonë me e vazhdue rrugën e dëshmorëve me guxim edhe më të madh se që po e bëjmë Tahiri edhe Unë.-u përpoqa t’ia shpjegoj.
-Qe besa, shumë mirë po ja bajshi. -foli plaku. U duk sikur po kujtohet pak dhe vazhdoi; -Po ma pani qefin sa nuk bahet më mirë. Po Unë, ç’ka muj me ju nimue në këtë punë? Mos më kqyrni si plak se helbete muj me krye shumë punë, jam gati.
-Jo, jo faleminderit. Nuk na duhesh, shko flej e pusho mirë e nesër në mëngjes e pleqënojna këtë punë, hahaha, -përfundova fjalët e mija.
-Ani, ani, shkoni, poa keni naj armë me vete, se nuk i dihet natës? Ka hafije këtupari që i bëjnë hyzymetin Serbisë e shkoni si capi te kasapi, hahaa, – e përfundoj fjalën me të qeshura plaku Axha Ramiz.
-E kemi nga nji të vogël, o Babë, -i tha Tahiri, -po, ne nuk po shkojmë atje të luftojmë, po shkojmë me vendos këtë grusht me lula te varri i Sherifit, me qëndru një minut gatitu me grushtin nalt dhe me u kthye në shtëpi. Nesër në mëngjes, dikush prej katunit i gjen lulat dhe fillojnë me folë shtëpi për shtëpi krejt katuni për këto lula e masanej edhe krejt komuna e Vitisë e pas pak ditëve e mësojnë krejt Kosova, se te vorri i Dëshmorit Sherif Frangu janë vendosur lule në shenjë nderimi për heroizmin e Tij. Kjo është qëllimi jonë. -përfundoj së foluri Tahiri.
-Ooo, djali jem, -vazhdoi të fliste plaku, -po e dijë se në luftë nuk po shkoni por, po dua që të jeni të kujdesshëm që të mos bini dikun në pritë e nuk dua që të ju shkojë mundi huq.
Ja ku e kamë edhe unë një ‘’shoq’’që nuk më lenë vetëm asnjëherë, Nagant e ka emërin -foli Mixha Ramiz dhe u nis nga dollapi i mbyllur në mur. E hapi dollapin e mbyllur brenda murit, morri ‘’shoqin’’ e vet, (Revolverin-Nagant), e futi në brez dhe tha;
-Qohuni shpejt se edhe Unë po vij me ju. Hajde, ngutuni se kapërcej midisi i natës e nuk bënë të vonohemi më shumë, – në mënyrë urdhërore foli plaku.
-Jo, jo, jo, jo, -ndërhymë përnjëherësh,Tahiri dhe Unë. -Nuk ka nevojë që të vini edhe Ju. Do ta kryejmë vet këtë punë dhe do të vijmë ta japim xhevapin-raportin pas gjysmë ore.
-Në rregull pra, po vij deri te fundi i arave tona në Ograjë dhe aty po ju pres.
U dakorduam me plakun. Morëm buqetën me lule dhe u nisëm ngadalë e në heshtje drejt varrezave të fshatit. U ofruam pranë varrezave duke lëshuar qetësisht hapat mbi barë me kujdesin më të madh që të mos dëgjojnë as dhelprat e kësaj ane.
Dalëngadalë duke u ofruar pran varrit, vëmë re befasinë e parë; shohim dy drita cigareje dhe në çast dëgjohet edhe bisedim i dy njerëzve me tonë të matur. Në moment u ndalëm në heshtje të plotë duke frenuar-kontrolluar edhe frymëmarrjen. A është e mundur vallë, pyetëm njëri-tjetrin në heshtje, që dikush të vendosë lule para nesh te varri i Sherifit?!
Pas një pushimi në heshtje të plotë, arritëm të deshifrojmë zërin e dy bashkëbiseduesve dhe kuptuam emrat e tyre. Ishin njerëz të fshatit tonë. Kishin ardhur me porosi të UDB-së, jo që të vendosnin lule mbi varrin e Dëshmorit por, kishin ardhur që të përcillnin situatën e natës së katërvjetorit të rënies së Dëshmorit!
Për një çast, mbetëm të shtangur e të habitur si mos më keq. Ooo ZOT, si është e mundur të ndodhë kjo?! U kujtuam disa herë dhe u dyzuam po aq herë se; ç’do të bëjmë tani?!!!-pyesnim e pyesnim veten me plotë dilemë. Imagjinata e jonë shkonte sa andej e sa këndej dhe krijuam tri mendime për veprim dhe pasojat e mundshme pas çdonjërës.
Mendim i parë ishte; t’i përzëmë nga aty duke ua futur ethet në bark, me raportim pistoletash dhe duke u bërtitur : ‘’dorëzohuni, duart lart dhe ecni para’’, të i qojmë deri andej kanalit mbi ‘’Troshevina’’duke i futur e qullosur nëpër ujët e kanalit dhe pastaj të kthehemi që t’i lëmë lulet mbi varr. (Ishte rreziku se mund të na i njohin zërat tanë dhe na deshifrojnë emrat, ashtu si ne që njohëm ata).
Mendimi i dytë ishte;t’i vrasim që të dy, e t’ua lëmë nga një letër te koka, ku do të shkruanim; ‘’gjithë spiunët do të kenë këtë fat’’ dhe pastaj të pshurrim mbi trupat e tyre.
Pasoja:në rast të zbulimit tonë, (ne nuk i frikësoheshim burgosjes tonë por), UDB-ja do ta cilësonte vrasjen, jo për motive patriotike por, për motive të ulëta ndërnjerëzore dhe do të krijonte kundërefekt patriotik. Do të krijonte një ndarje të madhe në mes familjeve të fshatit tonë që do të ishte edhe më keq.
Mendimi i tretë ishte: Meqenëse ishin që të dy bashkëfshatarë tanë, duhej të ishim më racional për të vepruar. Vrasja e tyre ishte e meritueshme por damka e poshtërimit të familjeve të tyre (që nuk mbanin faj për veprimet e familjarëve të tyre) krijonte rrethana të pafavorshme brenda fshatit në raport me rrethanat politike të kohës. Pra, vendosëm të kthehemi qetësisht andej nga kishim ardhur pa i vendosur lulet mbi varr?!
U kthyem andej nga kishim ardhur dhe i raportuam fill e për pe Mixhës Ramiz!
Kur mësoj të vërtetën e bashkëfshatarëve tanë dhe për emrat e tyre, Mixha Ramiz, u ndje aq keq sa që pështyu disa herë në tokë dhe shfryu;
-Kuuuku, menja mos me ta marrë, bre. …Kuuuku, tekjanë pisa bre! …Zoti i vraftë bre, jarebi! Baballarët e tyne janë kanë burra të mirë bre, po, nuk po u ditka puna e damazllakit. ….-pasi pushoi pak, vazhdoi përsëri.
-Tash për fund, po ju porosisë një gjë dhe me ma dhanë fjalën e burrave: Kurr ma mos e përmendëni këtë punë në shoqërinë tuaj, se nuk kini kurrfar dobie pej kësaj, bre mixhë. Për faqe t’zezë është kjo punë për thmitë e tyne, e thmia, bre mixhë, nuk kanë faj. Faqe e zezë koka edhe për prindët e tyne, e as ata nuk kanë faj, bre mixhë.
Me ma dhanë fjalën që, as fëmijëve tuaj të mos u tregoni këta dy emra se do të mbajnë inat me thmitë e tyre e nuk fitohet gjë prej kësaj pune.
-Po, Axha Ramiz, po ta japim fjalën se; kurrë nuk kemi me i kallxue askujt emrat e këtyre dy bashkëfshatarëve të pandershëm për kojshillëk.
– U ndamë me Axhën Ramiz në orët e hershme të mëngjesit duke i uruar pushim e gjumë të mirë njëri-tjetrit. Natënemirë për sonte e shihemi nesër kah mesi i ditës. Dita e re, nafaka e re, -përfundoi Axha Ramiz.
P.S: Deri në ditën që po shkruaj këto vargje, kemi mbajtur premtimin që i dhamë Mixhës Ramiz se kurrë deri sot nuk kemi zbuluar para të tjerëve emrat e tyre.