(2L ONLINE) – Përndjekjet ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga Policia e Kosovës nuk kanë të ndalur dhe kohëve të fundit veç sa janë bërë më të shpeshta.
Dy javë më parë është arrestuar aktivisti Kushtrim Dakaj, kurse sot u arrestua aktivistja nga Dardana, Brikenë Ramabaja, të cilën Policia më herët e ka kërkuar me dhjetëra herë në shtëpinë e saj dhe në zyrat e Lëvizjes Vetëvnedosje në Dardanë.
Brikenë Ramabaja po akuzohet, sikur shumë aktivistë të tjerë, të cilëve ju kanë ardhur thirrjet nga Policia, për pjesëmarrjen e saj në Protestën kundër privatizimi të KEDS-it të cilën e kishte organizuar Lëvizja VETËVENDOSJE! në sheshin kryesor të Prishtinës në tetor të vitit 2012 dhe ku vetë Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi kishte urdhëruar ndërhyrjen e cila rezultoi në dhunë nga ana e komandantëve të Policisë së Kosovës ndaj deputetëve dhe aktivistëve protestues.
Gjatë asaj proteste pati shumë lëndime e ndërhyrje brutale nga Policia e Kosovës, nga truprojat e ministrave, por ende askush as nuk u gjykua apo u thirr në përgjegjësi.
Po ashtu, protesta e atëhershme kundër privatizimit të KEDS-it veç sa është legjitimuar edhe më tepër këtë vit, duke pasur parasysh, përveç tjerash, edhe shtrenjtimin e dyfishtë të rrymës brenda një viti dhe mungesën e furnizimit me energji elektrike kudo nëpër Kosovë.
Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon lirimin e menjëhershëm të aktivistes Brikenë Ramabaja dhe i bën thirrje pushtetit në ikje që t’i ndërpresë arrestimet politike të aktivistëve tanë. /2L ONLINE/