Në vazhdën e aktiviteteve të institucioneve komunale të Vitisë, respektivisht realizimit të projekteve të parapara për këtë vit, sot është asfaltuar rruga “Iliria” në Viti, projekt ky i cili është financuar në tërësi nga buxheti komunal.
Zyrtarët thanë se pos asfaltimit, përskaj kësaj rruge do të rregullohet edhe trotuaret për këmbësorë dhe ndriçimi për ta kompletuar këtë rrugë e cila më parë ishte në gjendje të keqe.
Zëvendëskryetari i komunës së Vitisë, Halim Halili, tha se asfaltimi i kësaj rruge, është një nga projektet e shumta që parashihen të përfundojnë sivjet. Ai tha se me asfaltimin e kësaj rruge dhe rregullimi e saj në tërësi sipas projektit, do të lehtësohet qarkullimi i qytetarëve dhe sidomos nxënësve të shkollës fillore “Bafti Haxhiu”, pasi kjo rrugë më parë ka qenë e vështirë për kalim.
Zëvendëskryetari Halili, tha se komuna me të gjitha sektorët e saj, po angazhohen në vazhdimësi që të përmirësojnë infrastrukturën në qytetin e Vitisë dhe me këtë të përmbushin premtimet e dhëna ndaj këtyre qytetarëve.
Sipas zyrtarëve, asfaltimi i rrugës “Iliria” një gjatësi prej 303 metrash, ku parashihet edhe infrastruktura përcjellëse, buxhetit të komunës së Vitisë i ka kushtuar 80 mijë euro.(2lonline)