Ata që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, nuk mund ta hartojnë statutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Shkruan: Ismajl Kurteshi
Në nenin 44 të Kushtetutës së Kosovës , bëhet fjalë për lirinë e asocimit, në pikën 1 të këtij neni thuhet se liria e asocimit është e garantuar… dhe ngërthen të drejtën e secilit për të themeluar një organizatë pa pasur nevojë të siguroj leje…
Asociacion, sipas Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe do të thotë: Shoqërim.
Sipas fjalorit Oxford Advanced Leanerr’s Dictionary of Current English “association” do të thotë = companionship, që e ka të njëjtin kuptim me atë të gjuhës shqipe.
Nëse Komunat me Shumicë Serbe,vërtet janë të interesuara të “shoqërohen” (ta krijojnë një asociacion të tyre), ato nuk duhet të kërkojnë kompetenca ekzekutive.
A është e nevojshme që këto komuna të kërkojnë me ngulm, madje edhe nga Brukseli, që të ju lejohet asocimim, pasi që Kushtetuta e Kosovës e lejon një gjë të tillë, pa pas nevojë për leje.
Pse Serbia insiston për lejimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kur një gjë të tillë e lejon Kushtetuta e Kosovës?
Nëse komunat me shumicë serbe e konsiderojnë të nevojshme që të kërkojnë aprovimin e një organizimi të tillë nga Institucionet e Kosovës, a duhet që kërkesën për ta shpëtuar veriun nga Prishtina t’ia drejtojnë Beogradit?
Këto veprime të ekipit menaxhues për hartimin e statutit të komunave me shumicë serbe dëshmojnë se Serbia synon autonomin e cila qon drejt ndarjes së veriu.
Në Procesverbalin për Asociacion, Kosova quhet “Kosova dhe Metohia”, kjo është dëshmia që vërteton se hartuesit e këtij procesverbalit nuk e njohin Republikën e Kosovës.
Përmes këtij Procesverbali kërkohen kompetenca tërësisht të pavarura në menaxhimin e mjeteve buxhetore, duke e përfshi edhe prokurimin publik.
Këta hartues kërkojnë themelimin e një kadastre të pavarur në kuadër të asociacionit.
Në këtë dokument parashihet që arsimimi të mbetet nën administrimin e Ministrisë së Arsimit të Serbisë, poashtu kërkojnë edhe pavarësi të plotë në sektorin e Shëndetësisë.
Në kuadër të kërkesave tëkëtij ekipi është e rëndësishme edhe kërkesa për ndërtimin e vendbanimeve të reja për kthimin e serbëve në Kosovë dhe kompetenca në privatizimin e pronave publike.
Këto kërkesa shkojnë, jo vetëm përtej asociacionit por edhe përtej autonomisë dhe si të tilla nuk mund të pranohen.
Me Serbinë për asociacionin e komunave, qëështë çështje e brendshme e Kosovës, nuk bënë të negociohet.
Kushdo që e harton Statutin e Asociacionit në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ata që tentojnë ta aprovojnë një statut të tillë e shkelin Kushtetutën e Vendit, kurse shkelja e Kushtetutës është e dënueshme.
Në fund shtrohet pyetja, si është e mundur që Qeveria e Kosovës, hartimin e Statutit të Asociacionit t’ia besoj katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe që nuk e njohin Pavarësinë e Republikës së Kosovës?
Se atyre që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, nuk është dashur t’ju lejohet, ta hartoj statutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, është dashur ta di edhe kjo Qeveri.