Blerim Sylejmani kryetar i Shoqatës së Pedagogëve të Kulturës Fizike në Gjilan njëherësh koordinator i shkollave të mesme në nivel të Kosovës, ka bërë të ditur këtë lajm i cili do të jetë më se i mirëpritur edhe për shkollarët.
Sylejmani i ka thënë Portalit të Lajmeve Lokale “2lonline” se Federata e Sporteve Shkollore e Kosovës është shoqatë në kuadër të Shoqatës së Pedagogëve të Kulturës Fizike të Kosovës e formuar vitin e kaluar, ku tashmë ka degën e saj edhe në Gjilan. Sylejmani njëherësh është edhe kryetar i kësaj shoqate.
Sylejmani ka bërë të ditur se kjo shoqatë kohë më parë kishte organizuar garat e nxënësve të shkollave fillore të Regjionit të Gjilanit në volejboll, ndërsa aktivitet i radhës i tyre do të jenë garat e nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme të komunës sonë në futboll të vogël, që do të mbahen më 25 dhe 26 shtator.
Sylejmani theksoi se këto gara do të kenë sistem eliminimi dhe se të njëjtat do të zhvillohen në Palestrën e sporteve “Bashkim Selishta-Petriti”(shkollat e mesme), ndërsa ato fillore në ndonjë fushë që i plotëson standardet (përmendet Sh.F “Abaz Ajeti”).
Sylejmani bëri të ditur se projekti për këto gara i u është dorëzuar Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport(DKRS) dhe presin përkrahje për projektin në fjalë i cili ka për qëllim zhvillimin e aktiviteteve sportive për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme te komunës.
Kjo shoqatë ka edhe projekte tjera për zhvillimin e garave edhe në lëmitë tjera sportive gjithashtu për nxënës në të dy gjinitë ku edhe për këto projekte presin përkrahje të madhe nga DKA, DKRS, e posaçërisht nga kryetari i komunës, Qemajl Mustafa.
Tani i mbetet Shoqatës në takimet e saja të përcaktohet për koordinimin e punëve dhe aktiviteteve, rregullores së garave, kalendarit të garave për shkollat fillore dhe të mesme për vitin shkollor 2010/11 si dhe zgjedhjen e organeve përgjegjëse të saj./A.Arifi/