Prend BUZHALA
PËRMASA SHPIRTËRORE E POEZISË
(Albina Idrizi: “Trokitje të prushta”, poezi, Shtëpia botuese Beqir Musliu, Gjilan 2022)
Në vëllimin më të ri poetik “Trokitje të prushta” Albina Idrizi na vjen me krijimet që e ndien më thellë fenomenin e kapërcimit të një jete që vjel frutat e saj. Është ai prag moshe e jete që vazhdimisht shtron pyetjet ekzistenciale dhe jetësore:
gjithmonë ndjek një zë
pas të cilit, si në përrallë,
mbesin thërrmijat e misterit
cila nga ne
është vërtet gjallë.
Është ajo kohë jete, që mbushet vazhdimisht me përvoja gjallimi e krijimi, mençurie frymëzuese e dashurie për të vetët. Bota përreth r brenda vetvetes pranohet me të gjitha përparësitë e kundërthëniet e saj; poezia vetëm sa e shqipton shenjën e saj të të ekzistuarit të jetës në vetvete, si qenie e pavarur. Poezia na i ligjëron këto të vërteta, me kurajën për ta përdorë inteligjencien krijuese të bërjes së artit të vërtetë, ashtu siç kapërcehen e përballohen vështirësitë e mëdha në jetë. E pra, arti e jeta qenkan një!
1. Kokrra e arrirë e pjekurisë shpirtërore
Së këndejmi, poetja nuk i përdor më kot ato fjalë-figura që shënjojnë atë mister të ngritjes e të pjekurisë shpirtërore, e që na e ligjëron që në ciklin e parë “Rënkime vjeshte”. Vjeshta është sinonim i kuptimeve dhe përfigurimeve të tilla, shumta, është personifikim i ndryshimeve, i mistereve që jeta na i vë gjithnjë përpara, i vlerave të arrira, i pjekurisë, i drejtpeshimit jetësor e ekzistencial e deri te kuptimet simbolike të venitjes dhe vjeljes. “Pjekuria arrihet kur njeriu e pranon jetën me plot tensione” shprehet autor amerikan Joshua Loth Liebman. Kësisoj, përmes paralelizmit figurativ, si dhe neologjizmit të bukur poetik (vjeshtoj), poetja ligjëron:
Është një pemë
andej dritares përballë.
Sa ka nisë të vjeshtojë
(…)
Është një grua
andej kopshtit, përballë.
Sa ka nisë të vjeshtojë
floknajë e saj,
se si më ngjan.
Ndryshe, këtë vjeshtim (po flasim gjithnjë sipas atmosferës së tekstit poetik), poezia e zhdrivillon si një proces të grumbullimit e të shumëzimit të përvojave të jetës, një prag stine që na e tërheq vëmendjen se vjen një tjetër stinë gjallimi në të cilën mbyllemi e tërhiqemi.
Një shenjë tjetër gjuhësore- figurativ-shprehëse, është simbolika e gjethes, që shfaqet përgjatë gjithë librit, e cila i jep bukuri e ngrohtësi natyrës, rrjedhimisht, i jep hirin e së bukurës jetës që vjeshton, pra që frytnon:
Thuajse papritur
të merr në krahë,
aromë joshëse
pasionesh të pjekura
(…)
Çdo trill i ri
përtëritur rrezeve të vona
stepet në një natyrë të hutuar,
me pamjen e një vashe
lazdruar në lojën e dashurisë
kur befas ndjehet grua.
(poezia PËRQAFIM VJESHTE)
Ose:
Më josh vështrimin
gjethja që kalamendet
para meje,
si në një valle të re
Këtë gjethnajë, në përqasje me gruan, e pamë që në poezinë e parë. Nën cipën e një butësie vargjesh, ne lexojmë edhe kërkesën dramatike për vetënjohje; e pikërisht në aso çastesh kur tronditet së brendshmi qenia jonë, pikërisht atëherë ne do ta njohim vetveten aty ku është fshehur esenca e qenies sonë.
2. Kodi i heshtjes, metaforika e trokitjeve të prushta
Togfjalëshin metaforik poetik “Trokitje të prushta” po e lexojmë si shenjë të shumëfishtë ligjërimore. Nuk është thjesht ajo trokitja në derë, apo trokitjet e orës që mat kohën me minuta apo vite. Joan Lowery Nixon, një autore e gazetare amerikane, do të na thoshte me mençuri: “Jeta nuk matet me minuta, por me rrahje zemre.” Kësisoj, koha nuk është as kategori filozofike, por një frymë, aty ku zëri i krijueses qëmton të pathënën, aty ku i kërkon burimet e krijimit të ekzistencës, fatit, të bukurës dhe dashurisë që i jep kuptim çdo gjëje.
Në frazeologjizmat shqiptare thuhet: “Më troket zemra fort. Më trokasin tëmthat” për ta shprehur shqetësimin emocional apo ndjesinë e fortë të përjetimit; ose “Më troket në vesh” – d.m.th. e grish vazhdimisht ndërgjegjen e njeriut për përgjegjësinë e veprimeve e ndodhive rreth tij… një trokitje sidomos te vetvetja për ta zënë çastin e mundësive të forcës që njeriu e ka brenda vetvetes… Le ta lexojmë, më në fund, si trokitje zemre, aty ku gjendet ai prush dashurie e ëndërrimi.
Te cikli “Heshtja flet brenda nesh” lexohen ato momente, kur folësja lirike ndeshet (takohet) me zemrën, me mendjen, ballafaqohet me veten e me universin brenda vetes në një mikrokozmos të pakufi… mu ashtu si ligjëron Perëndia përmes heshtjes së maleve, ujërave, blerimit të fushave…apo tek një drithërimë gjethi. Kësisoj, heshtja ndeshet me atë të universit, a me heshtjen e SUBJEKTIT tjetër, prandaj dy heshtje shkaktojnë PLASARITJE! Drama e plasaritjes njerëzore ndodh në heshtje, me dy protagonistë-antagonistë që përbëjnë AGON-in e heshtjes dramatike! Vazhdimisht nëpër vargje folësja lirike i drejtohet një vete të dytë (Ti), si bashkëbisedues intim që herë gjendet aty e herë mungon:
kemi mundur
t’u gëzohemi horizonteve
të njëri – tjetrit,
pa lënduar as gjymtuar
gjë nga vetja;
të lëshojmë zë përmes heshtjes,
si tani kur mësohemi të ndjejmë
sa jemi të pranishëm
përmes mungesës.
E, ta dëgjosh, heshtjen, do të thotë të hysh e të shkosh përtej rëndomtësisë … me pamjet, me zërat e fjalët nga më të pakapshmet e që mund të zbërthehen vetëm duke e dëgjuar këtë heshtje, duke bashkëbiseduar aty, me ata mozaikë (mbi)realitetesh nga më të mahnitshmit, nën të fshehtat e qenies, gjërave…Një dijetar (Moor), thotë se përjetimi i heshtjes është formë e veçantë e vetëdijes…
Poeti amerikan Laurence Overmire, thotë: “Të dëgjosh heshtjen është të dëgjosh trokitjet e zemrës së universit.” Këso trokitjesh dëgjohen dhe lexohen në çastet e përndritjeve vezulluese të muzës poetike, aty ku meditimi harmonizohet me rrahjet e zemrës, madje edhe me ëndërrimin, si rrymë e nëndheshme.
Heshtja është periudhë e ndërtimit të urtisë. Prandaj ata zëra urtakë thonë në heshtje: dëgjo! Atëherë vjen Paqja e Mendjes. Me anë të durimit, dhe praktika e tillë urtake, të dhuron një jetë të re… Sepse shpesh heshtja na shfaqet më e rëndësishme se fjala. Është urtake. Është ndihmëse e jashtëzakonshme. Është dhe një mrekulli, por është edhe botë e shqetësimeve e trazimeve nga pagjumësia. Kësisoj, kjo heshtje ka kodin e saj:
Askush nga ata
që i përcjellin
nuk e merr mundimin
t’i ndalë,
sipas një kodi të heshtjes
çdo gjë që kthehet
3. Semantika e shpërbërjes dhe ripërtëritjes
Kemi të bëjmë me një lirizëm të veçantë që e selit me kujdes bukurinë e thënies, të mendimit e të emocionit, së bashku me pulset e imagjinatës. Ky këndim i heshtjes vazhdon edhe tek cikli “Pavdekësi e fjalës” kushtuar mitit poetik të frymëzimit, fjalës, muzës dhe vargëzimit.
Jeta ka paradokset e saj në kërkime… qoftë dhe për rrugën që nuk e gjen… Poetja shfaqet në skenën e kohës me betimin më të bukur personal, intim e atdhetar: me atë të lartësuar në art e në trashëgiminë si vazhdë shpirti.
Katarzisi shpirtëror ngjet në çastet e zgjimit të vetëdijes poetike-jetësore, pikërisht në situatat e tilla të këndimit jetësor: të zgripit të fatit të fatkeqësive të vogla dhe të mungesës së qenies që do në festat intime, të dëshirës për mashtrim për ta mundur ferrin jetësor dhe të jetës hileqare. Ndjehet një ngjyrim prej balade, nga pak me një tis tragjik, sa intim aq edhe universal…
Në këso çastesh poetja lutet:
Gjej diçka të bukur
dhe ma thuaj sonte,
diçka të mëndafshtë prej shpirti
si dhelkë përqafimi
yllnajave të pagjumta të vetmisë.
Poetja ndjek pasionin e saj, shpërndan besimin e saj në dashurinë, siç na e thotë cikli i fundit “Vallëzime malli”. Në përqasje tematike e semantike me ciklet tjera, edhe te ky cikël ajo ligjëron për ripërtëritjet e për shpërbërjet.
Ç ‘është një shpërbërje?
Që në poezinë e parë ndiejmë këtë shpërbërje të mistershme të lisit që zbërthehet në pëshpërimë mali, aty krijohet mbëltimi i ri, dashuria, ripërtëritja:
Mbase e ëma,
ajo urti e regjur stinësh,
i tregoi se pikërisht aty
në truallin ku mbiu
mbëltimi i ri,
bëhet dashuria më e bukur
Kjo semantemë e gjetur lirike, në opozicionin e saj shpërbërje/ripërtëritje, nuk është copëzim, as shkatërrim, por njësim, shkrirje në një, bashkëdyzim.
Kur jam me ty
jam vetvetja pa mua.
Edhe kur
FJOLLË DËBORE
Në buzë je puthja që njomë
rreshkën e një dashurie të hershme,
si mjegullnajë e pakapshme
Përmasa shpirtërore e poezisë na ligjëron se shpirti ka epërsinë vet mbi karakterin kalimtar të kohës, sa do që ajo të vjeshtojë. Ky besim, si një drithërimë e brendshme pasigurie, ngrihet për ta mundur harresën. E pra, është poetja ajo që i qëmton këto përmasa që nuk veniten asnjëherë siç është dashuria te poezia “Gjer në shpërbërje të gjithçkaje”
Më josh vështrimin
gjethja që kalamendet
para meje,
si në një valle të re
kur i mëson hapat
para se të takojë çiftin.
Ndoshta, dheu ku do të puqet
ruan dashurinë më të madhe
për të cilën ajo ende
nuk e di se do t’i jepet
gjer në shpërbërje të gjithçkaje
që e kishte krijuar të tillë.
Dashuria njësohet me përjetësinë e dheut, me ngjizjen e amshueshme te qenia e truallit ku lëviz jeta. Shenjat e së shkuarës harmonizohen me ripërtëritjen e tyre në jetë e në natyrë, kurse aty mësohet edhe leksioni më i bukur i jetës:
Mëso të më duash
ditë për ditë, i dashur
dhe do ta kuptosh
se unë jam vështrimi
që flet përbrenda teje.
Është gjetja e alter egos poetike në kohë e nëpër kohë: aty ku nuk do të gjendet ajo, aty atë do ta paraqesë, përtërijë, zëvendësojë dashuria, si “gjethe e frymë”.
4. Veçanti të botës poetike
Nëse te krijuesit letrarë mund ta shohim poetikën brenda një strukture të botës poetike, të ndërtuar mbi themelet e komunikimit artistik; atëherë veçantitë e tilla te ky vëllim poetik do t’i vërejmë tek mënjanimi i “tepricës së kuptimit”, siç do të thoshte Zhak Derrida.
Nga ana tjetër, qëmtimi i neologjizmave lirike, kërkesa për thukninë e dendurinë e tekstit, krijimi i mundësive të shumëkuptimësisë, lënë hapësirë për strukturime të imagjinatës poetike, ashtu sikundër lënë hapësirë edhe për lexime të shumta e të ndryshme.
Në këtë shumësi përmasore të komunikimit, do ta veçonim thënien metaforike, si vlerë e kurorë të kësaj poezie. Vetë titulli “Trokitje të prushta” është model togfjalësor metafore dhe metaforizimi, gjithnjë me etjen e poetes për ta shënjuar të pathënën, për ta ndërlidhur universin e jashtëm me mikrokozmosin intim, logosin me esencën, me qenësinë e që shprehen më thellë e më konceptualisht.
Metaforizimi e metafora e këtij vëllimi shndërrohen në bartëse të kualiteteve e prirjeve lirikëkrijuese a të transcendentales e konceptuales, shndërrohet në bartëse të shumësisë kuptimore të qenies e të qenësisë lirike a të analogjisë, siç do të thoshte Aristoteli. /2LONLINE/