Kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me nënkryetaren Leonora Morina – Bunjaku dhe Drejtoreshën e Administratës Doruntina Hasani, pritën në takim përfaqësueset e Fondacionit “Jahjaga” përkatësisht Menaxheren e Projektit znj. Arbenitë Morina dhe Drejtoreshën Ekzekutive znj. Brikena Avdyli, me qëllim të inicimit të bashkëpunimit në kuadër të programit “Zhvillimi i njohurive për qeverisjen lokale”.
“Përmes këtij programi, tri vajza të reja do të kenë mundësinë të mentorohen në Komunën tonë nga nënkryetarja e komunës, drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, si dhe nga ana ime në cilësi të drejtoreshës së Administratës”, ka thënë Drejtoresha Doruntina Hasani.
Programi ka për qëllim të kontribojë në promovimin dhe fuqizimin e rolit të gruas në politikë, me theks të veçantë në inkurajimin dhe fuqizimin e vazjave të reja të cilat kanë aspirata të zhvillimit të karrierës politike.
Drejtoresha Doruntina Hasani, e cila është caktuar nga Kryetari i Komunës Alban Hyseni si koordinatore e këtij procesi, ka deklaruar që bartësit e institucioneve komunale janë të gatshëm dhe të përkushtuar në ndërmarrjen e hapave konkretë për zhvillimin dhe avancimin e këtij bashkëpunimi, në mënyrë që të kenë rol proaktiv në zhvillimin dhe avancimin e rolit të gruas në shoqëri dhe në vendimmarrje. /2LONLINE/