Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka realizuar konferencë për media, përmes së cilës ka përshëndetur pjesërisht Vendimin e marrë nga Qeveria e Kosovës gjatë muajit Shtator për përkrahje të punëtorëve të sektorit publik dhe privat.
Qëllimi i kësaj konference ishte delegimi i kërkesës tek Qeveria, Kryeministri, Ministria e Financave, Parlamenti i Kosovës dhe Institucionet përgjegjëse që të mos kushtëzohen punëtorët e sektorit privat ashtu siç nuk janë kushtëzuar punëtorët e sektorit publik si dhe për punëtorët e sektorit privat të bëhet ekzekutimi i menjëhershëm apo në dy pjesë i mjeteve në shumën prej 200 eurove, ashtu siç është duke i’u dhënë punëtorëve të sektorit publik pasi që këta punëtorë së bashku me bizneset janë më meritorët dhe shtylla e buxhetit dhe zhvillimit të vendit.
Dhoma e Tregtisë edhe një herë kundërshtoi vendimin e Qeverisë së Kosovës dhe kërkoi që të merret në konsideratë gjendja e rënduar financiare e bizneseve dhe të mos kushtëzohen punëtorët e sektorit privat, ashtu siç nuk janë kushtëzuar punëtorët e sekorit publik dhe kompanive publike.
Në kuadër të kësaj konference, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Skënder Krasniqi, theksoi se Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë duke vlerësuar situatën e rënduar të bizneseve dhe punëtorëve të sektorit privat si pasojë e goditjes nga pandemia Covid-19, luftës në Ukrainë, rritjes enorme të çmimeve të produkteve të shportës familjare, naftës, gazit dhe shumë produkteve të tjera kërkoi nga Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht nga Kryeministri dhe institucionet relevante, përkrahje direkte dhe pa kushtëzime edhe për punëtorët e sektorit privat.
Sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, me anë të Vendimit të muajit Shtator, Qeveria po u ndanë punëtorëve të sektorit publik për 4 muaj radhazi nga 50 € më shumë, pavarësisht që i kanë pagat më të larta se në sektorin privat dhe gjithashtu punëtorët e kompanive publike po marrin shtesa nga buxheti i shtetit pa asnjë kushtëzim edhe pse pagat e tyre janë pothuajse për 80% më të larta se të sektorit privat.
Shkelje të njëjta të të drejtave të punëtorëve janë bërë edhe me fillimin e pandemisë në vitin 2020, ku punëtorët e sektorit privat që mbeten pa punë si rezultat i ndalesave të punës nga ana e Qeverisë, për muajin Mars morën nga 170 €, në fund të muajit Prill, ndërsa për muajin Prill i morën në Shtator pavarësisht që pagat e tyre kanë qenë 400, 500 apo 1000 €, ndërkohë që punëtorët e sektorit publik edhe pse mbi 80 përqind e tyre nuk kanë punuar gjatë vitit 2020 dhe 2021, kanë marrë pagat e plota nga ana e buxhetit të Kosovës, shtoi Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë. Tutje, DHTIK konsideroi se kjo është një shkelje e rëndë kushtetuese e të drejtave të qytetarëve dhe punëtorëve dhe institucionet përkatëse do të duhej të merren me këto shkelje.
Rikujtojmë se në Kosovë janë mbi 250 mijë punëtorë të punësuar në sektorin privat të cilët me punën e tyre mbushin buxhetin e shtetit, nga e cila marrin paga edhe punëtorët e sektorit publik.
Nga ana tjetër Anëtari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Hamdi Malushaj tha se shteti duhet të ndryshoj mendësinë dhe të ketë parasysh zhvillimin përmes sektorit privat pasi që sektori publik është i nevojshëm por shpenzues. Malushaj, po ashtu theksoi se ndër vite është e njëjta politikë, ku në Kosovë shihet vetëm sektori publik si zhvillues i vendit. Sot jemi në hall ku nuk kemi njerëz e kemi papunësi të madhe, tha në fund ai.
DHTIK kërkoi gjithashtu që të merren parasysh kërkesat e vazhdueshme që është duke i dërguar institucioneve përkatëse në tejkalimin sa më të lehtë të krizës dhe rritjen e zhvillimit ekonomik të vendit. Njëkohësisht, përmes kësaj konference u ftuan në një dialog të drejtpërdrejt Institucionet vendore, me qëllim të diskutimit lidhur me gjendjen e bizneseve në terren pasi që Dhoma e Tregtisë është çdo ditë në vizita dhe kontakte të vazhdueshme me bizneset.
Në këtë konferencë për media të pranishëm ishin Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Skënder Krasniqi, dhe Anëtarët e Bordit Hamdi Malushaj dhe Idriz Zjenullahu. /2LONLINE/