(2L ONLINE) – Zyra e Kryetarit të Komunës së Gjilanit ka financuar një projekt për trajnimin e zyrtarëve të institucioneve lokale për komunikim me gjuhën e shenjave.
Kanë qenë 13 zyrtarë nga të gjitha institucionet në Gjilan që për 3 muaj rresht janë trajnuar nga Shoqata Komunale e të Shurdhërve në Gjilan dhe në këtë mënyrë, nuk do të kenë barriera në komunikim me gjuhën e shenjave me shurdhmemecët.
Në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka folur drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Mursel Zymberi, i cili është shprehur se Komuna vazhdimisht është kujdesur për personat me nevoja të veçanta dhe ka treguar përkrahje edhe në vepër për këtë kategori.
“Ju përgëzoj për punën e mirë dhe njohuritë që i keni marrë në këtë trajnim dhe në këtë mënyrë është lehtësuar qasja ndaj kategorisë së shurdhmemecëve. Kryetari Haziri vazhdimisht është kujdesur për personat me nevoja të veçanta dhe ka treguar përkrahje edhe në vepër për këtë kategori siç është shpërndarja e karrocave elektrike para disa muajve. Komuna do të përkrah edhe aktivitete të tjera të kësaj natyre”, është shprehur Zymberi.
Ky trajnim, i cili ka përfunduar sot, u mundëson zyrtarëve që të arrijnë të komunikojnë lirshëm me personat e kategorisë së shurdhmemecëve dhe t’i kuptojnë nevojat e tyre./2L ONLINE/