Gjilani përkatësisht Klubi Rotarian “Gjilani”, ka qenë nikoqir i Seminarit treditor të rotarianëve të Distriktit Kosovë – Shqipëri (D2485), ku janë mbajtur trajnime për Anëtarësi, Fondacionin Rotari si dhe për Imazhin Publik.
Në Ditën e parë të trajnimit, përfaqësuesit e rotarianëve nga Kosova e Shqipëria, që tashmë veprojnë si një Distrikt (D2485), fillimisht janë pritur dhe përgëzuar për punën e tyre, nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni me bashkëpunëtorë.
Në selinë e kreut të komunës, rotarianët e pranishëm, prirë nga PDG Radu Popescu – Përfaqësues i Presidentit të Rotary Ndërkombëtar (RI) që vjen nga Rumania, Alfons Hani dhe Skender Garori (Shqipëri), Ismajl Baftijari, Fleta Baraku, Fadil Rrahmani e rotarianë të tjerë (Kosovë), janë pritur ngrohtësisht nga z. Hyseni, i cili i ka përgëzuar rotarianët për angazhimin e deritanishëm në të mirë të komunitetit, jo vetëm në Gjilan, por edhe më gjerë.
Kryetari Hyseni ka përgëzuar RC Gjilanin që si nikoqir i këtij seminari mblodhi këtu rotarianë nga Kosova e Shqipëria dhe vlerësoi edhe praninë e z. Radu Popescu si përfaqësues i RI-së.
Ai ka përmendur projekte të realizuara nga rotarianët edhe në komunën e Gjilanit duke përfshirë edhe ato që janë bërë në bashkëpunim me komunën. E në këtë vazhdë të partneritetit, Hyseni ka përmendur marrëveshjen e mirëkuptimit që tani ai në emër të komunës dhe kryetari i RC Gjilanit, Fadil Rrahmani, e kanë nënshkruar, e që i hap rrugë bashkëpunimit të mëtutjeshëm dhe realizimit të projekteve të ndryshme në të mirë të komunës dhe qytetarëve të saj.
Kryetari Hyseni vlerësoi angazhimin rotarianë në përgjithësi duke e falënderuar z Popescu edhe për angazhimet e Rotarit Ndërkombëtar, ndërsa ka premtuar se në fushat e interesit të përbashkët, bashkëpunimi Komunë – Rotari, jo vetëm që do të vazhdojë, por edhe do të thellohet.
Ndërsa, PDG Radu Popescu – Përfaqësues i Presidentit të Rotary Ndërkombëtar (RI), në fjalën e tij ka thënë se e vlerëson shumë Komunën e Gjilanit dhe kryetarin e saj, z. Hyseni që ofron partneritet të sinqertë me Rotari, ndërsa marrëveshja e mirëkuptimit që e ka Gjilani si komunë me RC Gjilanin, do të duhej të ishte model jo vetëm për komunat tjera, por edhe për klubet rotariane në vendet tjera.
Komuna e Gjilanit, në respekt të rotarianëve, i ka ftuar ata për vizitë edhe të ekspozita personale e Gëzim Brestovcit, e hapur në Galerinë e Arteve në Gjilan, ku z. Popescu, por edhe rotarianët tjera kanë qenë të fascinuar me punën e artistit gjilanas, madje u diskutua për mundësinë që përmes rotarianëve, artistët gjilanas, të performojnë me veprat e tyre, në qytetet e Shqipërisë dhe anasjelltas, për çka u dakordua që të vazhdohet në realizimin e synimeve të tilla.
Përndryshe, një delegacion i rotarianëve të Kosovës e Shqipërisë, prirë nga PDG Radu Popescu, ka bërë homazhe edhe te varri i Naim Shaqirit, një ish rotariani të devotshëm, që ka ndërruar jetë, e që kishte punuar me përkushtim të pashoq në jetësimin e një Distriktit shqipfolës, e që tani u bë realitet.
Përndryshe, Seminari që është mbajtur te “Vali Ranch” , ka përfshirë trajnime përmbajtjesore për Anëtarësi, Fondacionin Rotari si dhe për Imazhin Publik, ku trajnerët kanë ofruar informacione të bollshme, por u diskutua edhe për projektet në të ardhmen që mund të realizohen në të mirë të qytetarëve të dy vendeve Kosovë e Shqipëri, që tani veprojnë si një, në kuadër të Distriktit 2485.
Për fund, vlen të përmendet se Klubi Rotarian “Gjilani” ka marr notë të lartë për organizim të Seminarit dhe po ashtu Gjilani si komunë është vlerësuar si mikpritëse e jashtëzakonshme e ngjarjeve që kanë të bëjnë me rotari. /2LONLINE/