Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, së bashku me Prorektoren për Hulumtime dhe Kërkime Shkencore, Prof. Ass. Dr. Arbona Xhemajli, dhe u.d. udhëheqësen e Divizionit për Hulumtime Shkencore dhe Inovacion, znj. Arjetë Rexhepi, kanë marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare BRIDGE. Aktiviteti u organizua nga Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren dhe kishte si temë kryesore “Arsim dhe Inovacion për të Përparuar Shkencën dhe Shoqërinë.”
Konferenca BRIDGE mbledhi akademikë, hulumtues dhe profesionistë nga fusha të ndryshme shkencore për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit në fushën e arsimit dhe inovacionit, duke theksuar rëndësinë e këtyre dy faktorëve në avancimin e shkencës dhe shoqërisë.
Në këtë forum të rëndësishëm shkencor, përfaqësuesit e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan u angazhuan në diskutime dhe ndanë përvojat e tyre lidhur me rolin e arsimit të lartë në nxitjen e inovacionit dhe zhvillimin e kërkimeve shkencore.
Pjesëmarrja në këtë konferencë është një dëshmi e përkushtimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” për të promovuar kërkimet shkencore dhe për të forcuar bashkëpunimin me universitete dhe institucione të tjera akademike, si brenda vendit, ashtu edhe ndërkombëtarisht. /2LONLINE/