“Viktimat e dhunuara”! Me keqardhje po e dëgjoj dhe lexoj shpesh këtë shprehje në shoqërinë tonë, gjë që nëpërmjet një gjuhë të tillë po përshkruhen sulmet seksuale në mënyre grafike duke shkaktuar një negativitet të madh psikologjik në personat që kanë përjetuar situata të tilla në shoqërinë tonë.
Vana Jerliu Ramadani
Kjo është një temë shumë e ndjeshme dhe duhet pasur shumë kujdes gjatë përdorimit të gjuhës në një temë të tillë. Do të ishte më e drejtë që gjatë mbështetjes së personave që kanë mbijetuar situata të tilla, njëherazi të ngrisim vetëdijen në shoqërinë tonë se si duhet të shprehemi rreth kësaj çështje.
Në vend se të themi “viktimat e dhunuara”duhet të themi “personat që janë prekur pa pëlqimin e tyre dhe kanë mbijetuar”. Është vendim i ndërgjegjshëm që të përdorim fjalën “mbijetuar” në vend se të themi “viktima”, sepse fjala “mbijetuar” ka konotacion shumë të ndryshëm nga fjala “viktimë”. Kur i drejtohemi dikujt me fjalën viktimë, japim kuptimin se personi është i, e pafuqishëm dhe në mëshirë, gjë që ka një efekt shumë negativ psikologjik duke shkaktuar stres, dhimbje, ndjenjë të palakmueshme, nxitje të ndjenjës se padëshirueshme që është shkaktuar gjatë periudhës së traumës, ngecje në një ndjenjë të tillë, pasivitet, ankth etj.
Me përdorimin e fjalës “viktimë” përcillet mesazhi se personi është ende duke luftuar qoftë gjendjes psikologjike ose sistemit gjyqësore.
Kurse fjala ”mbijetuar” ka kuptimin se personat në fjalë i kanë shpëtuar një situate të tillë, i kanë gjerat nën kontroll, e kanë kaluar dhe janë të fuqishëm që të tejkalojnë situatën dhe të vazhdojnë jetën e tyre normale.
Me fjalën “mbijetuar” nxitmi ndjenjën e mobilitetit që të mos ketë ngecje në situatë, por të nxisim ndjenjën e fuqizimit dhe të mbijetuarit, të mos ndjehen viktima.
Të tejkalohen situata të tilla nuk është aspak e lehtë. Megjithatë mbështetja e plotë e shoqërisë dhe përdorimi i një fjalori pozitiv do të ndihmojë duke pasur ndikim pozitiv në procesin e shërimit psikologjik, tejkalimit të situatës në përgjithësi.
Po ashtu negativitet të madh sjellë edhe shprehja “dhune seksuale” andaj nuk duhet të përdoret një term i tillë, por duhet të thuhet “personat që janë prekur pa pëlqimin e tyre”.
Sulmi seksual është krim dhe personat që punojnë në zbatimin e ligjit dhe që merren me krimin zakonisht përdorin fjalën ”viktime”, që të tregojnë bindshëm se është kryer një krim dhe se personi që ka bërë një sulm të tillë ka bërë krim, ka thyer ligjin dhe duhet të merr dënimin e duhur.
Por edhe personat që kanë punë me ligjet duhet të rishqyrtojnë gjuhen e të shprehurit sepse duhet pasur konsideratën se sa efekt negativ do të ketë në personin që ka mbijetuar një situatë të tillë.
Pra duke përdorur termet “të mbijetuarit që janë prekur pa pëlqimin e tyre” kjo është një lloj përkrahje psikologjike që shoqëria mundë të jep për personat që kanë kaluar situata të tilla.